NGA ORNELA MANJANI*

TIRANE-Pensionet e gjyqtarëve dhe prokurorëve pas miratimit të reformës në drejtësi do të nisin nga 270 000 lekë në muaj ose 90% e pagës referuese. Sipas Ministrisë së Financave, pensionet e gjyqësorit të parashikuara në draft janë në kundërshtim me ligjin aktual të pensioneve. Deficiti që do të shkaktojë kjo skemë në buxhetin e shtetit është rreth 320 miliardë lekë për 1000 pensionistët e parë. “Magjistrati përfiton pension pleqërie të njëjtë me atë të parashikuar në ligjin bazë, por përfitimi dhe vlera e tepër të larta. Më konkretisht. Një magjistrat që del në pension mesatarisht në moshën 65 vjeç dhe kur është edhe koha e studimit në magjistraturë për tri vite konsiderohet si periudhë shërbimi. Periudha mesatare e shërbimit është 40 vite dhe për ata magjistratë që dalin në pension 70 vjeç, kjo periudhë shërbimi është 45 vite.

Sipas përcaktimit të projektligjit, për çdo vit shërbimi përfitohet 1.5% e pagës si pension suplementar dhe masa shkon në 60% të pagës për 65 vjeç dhe 67.5% të pagës për 70 vjeç. Norma e kontributit është 4% e pagës bruto dhe për një periudhë 40-vjeçare. Sasia e parave të akumuluara është 160% e pagës e pagës bruto vjetore 40 vjet X 4% baras 160%, ndërsa përfitimi i pensionit social me një kohë mesatare gëzimi prej 15 vjetësh shkon në 900% e pagës bruto vjetore për ata që dalin në pension 65 dhe 675% për ta që dalin në pension 70 vjeç. E thënë ndryshe, për 1.6 lekë të paguar, përfitojnë 9 lekë ose 5.6 herë më shumë, nëse marrim në konsideratë edhe faktin që pagat e propozuara janë shumë të larta, atëherë në vlerë absolute ky deficit për 1 mijë persona me pagë mesatare 300 000 mijë lekë në muaj është afërsisht 32 miliardë lekë”, thuhet në argumentin e Ministrisë së Financave.

Pensioni
Referuar këtij përcaktimi, rezulton që magjistrati përfiton një pension prej 90 për qind të pagës referuese, që është rreth 15-20 për qind më i lartë se paga neto gjatë punësimit. Përfiton një pension 110 për qind të pagës referuese kur ka dy fëmijë. Të dyja këto përcaktime janë kundër logjikës dhe filozofisë së pensioneve. Magjistrati përfiton një pension të parakohshëm, përfitim i cili nuk është parashikuar në ligjin nr. 8097 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”. Ky përcaktim parashikon të drejtën e përfitimit kur mbush moshën 55 vjeç.

Rritja e pensionit

Në letrën e Ministrisë së Financave drejtuar grupit të punës për reformën në drejtësi, mësohet se rritja e kufirit nga 40 për qind në 60 për qind të pagës referuese përfaqëson kufirin më të lartë, ose të barasvlefshëm me funksionin president/kryetar i Kuvendit/kryeministër. “Rritje në vlerë, pasi paga referuese e magjistratit është e lartë. Referuar këtij përcaktimi rezulton që magjistrati përfiton një pension në vlerë me të lartë se paga neto kur ai punonte (46-50 për qind të pagës maksimale-pension pleqërie plus 60 për qind të pagës pension shtetëror suplementar), gjë e cila bie ndesh me parimet e ligjit aktual. Magjistrati përfiton një pension suplementar për paaftësi në punë, në masën 60 për qind të pagës referuese. Magjistrati përfiton pension suplementar familjar, sipas këtij përcaktimi: 60 për qind për bashkëshortin ose bashkëjetuesin pasjetues, 30 për qind për çdo fëmijë”, thuhet në dokumentin e Ministrisë së Financave.

Pagat
Pagat në sistemin e gjyqësorit do të shumëfishohen. Rrogat për gjyqtarët dhe prokurorët do të nisin nga 177 000 lekë/muaj mbi 500 000 mijë lekë. Shtesa mbi pagën do të jetë 5% dhe 10% e pagës bruto mujore. Shpërblim shtesë për sigurimin e detyrueshëm të jetës për vete, për familjen dhe pronën do të arrijnë në masën 33 euro në muaj. Shpërblim shtesë për rritjen dhe edukimin e fëmijës, 5% të pagës fillestare bruto të punonjësit në sistemin e drejtësisë, për fëmijë deri në moshën 18 vjeç. Të gjitha këto ndryshime janë parashikuar në projektligjin për “statusin e gjyqtarëve dhe prokuro-rëve në Republikën e Shqipërisë”, për të cilat Ministria e Financave shprehet se nuk mund të përballohen nga buxheti i shteti dhe kërkon rishikim të faturës financiare. Përveç faturës së lartë për pagat dhe sigurimet, Ministria e Financave është përballur me një kosto tjetër, të cilën nuk mund ta llogarisë dhe bëhet fjalë për benefite si kredi të buta, trajtim për pensionet dhe shpërblime vjetore për magjistratët, të cilave nuk mund t’u bëhet një llogari e saktë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: