TIRANË

“5 vite nga reforma në drejtësi” bëri sot bashkë në një tryezë, ministren e drejtësisë Etilda Gjonaj, ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca, ambasadoren amerikane Yuri Kim si edhe krerët e institucioneve të reja të drejtësisë.

Në fjalën e saj në celje të këtij takimi, ministrja Gjonaj tha se reforma ka patur sfida e kundështarë, por sot po ecën në rrugën e duhur.

Fjala e ministres Gjonaj:

Në radhë të parë dëshiroj t’ju shpreh falenderimet e mia për pjesëmarrjen në këtë tryezë, pasi vjen në një moment tejet kuptimplotë për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Një moment, i cili përkon me 5-vjetorin e miratimit të amendamenteve kushtetuese që i hapën udhë zbatimit të reformës në drejtësi, që me të drejtë konsiderohet edhe reforma më e rëndësishme në këto 30 vjet në vendin tonë.

Ndër vite, kur jemi bërë bashkë në forume të tilla, institucionet e drejtësisë së re jo gjithmonë kanë qenë të përfaqësuara, disa për shkak se ende nuk ishin konstituar ose sepse anëtarët e tyre nuk ishin zgjedhur ende. Por, sot, prania bashkë e të gjithë përfaqësueve të institucioneve të drejtësisë së re është prova e gjallë e zbatimit të reformës në Drejtësi, është gjithashtu dëshmi e fortë e suksesit të saj.

Të pranishëm sot këtu me ne janë edhe të gjithë aktorët që e mbështesin dhe mbeten promotorë të zbatimit të reformës në Drejtësi. Kuvendi, partnerët ndërkombëtarë, shoqëria civile, media, të cilët kanë kontribuar për të cuar përpara këtë projekt në jetësimin e rezultateve që shënjojnë transformimin e sistemit.

Kjo frymë e përbashkët është qartësisht shprehje e vullnetit për të mos reshtur në asnjë moment së besuari dhe punuari në drejtim të këtij projekti, për rikthimin e besimit të qytetarëve tek drejtësia.
5 vjet nga miratimi i reformës në Drejtësi janë provë e gjallë e një sërë arritjesh tepër të rëndësishme që kanë shërbyer si gur themeli në kapërcimin e sfidave të drejtësisë së re, që tregojnë qartësisht se reforma është në udhën e duhur në një process të pakthyeshëm.

Arkitektura kushtetuese dhe ligjore ka garantuar pavarësinë dhe paanësinë e plotë të sistemit të drejtësisë. Të pandikuar nga politika dhe çdo faktor tjetër të jashtëm, organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë kanë në dorë që përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe ligjore në promovimin, emërimin e magjistratëve në sistem ashtu si dhe inspektimin dhe procedimin disiplinor në rastet e shkeljeve, ta ushtrojnë me përgjegjshmëri dhe transparencë.

Lufta ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë po njeh një kurbë rritëse, duke shenjuar në vijimësi me rezultate të prekshme, të vlerësuara dhe të mirëpritura nga qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Pastrimi i sistemit nëpërmjet procesit të “Vetting”-ut nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe të padenjë dhe rezultatet e deritanishme të strukturave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë domethënëse dhe shpresëdhënëse që të dëshmojnë se reforma do të rikthejë besimin e qytetarëve te sistemi.

Ringritja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë përtej vonesave tashmë të njohura, sot janë funksionale dhe që pritshmëria ndaj tyre për paanësi, profesionalizëm, integritet në vendimmarrje është shumë e lartë.

Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se vështirësitë, me të cilat përballet zbatimi i reformës sot nuk janë të pakta. Procesi i “Vetting”-ut do të duhet të vijojë me ritme më të shpejta duke respektuar standardet më të mira dhe të unifikuara në të gjithë vendimmarrjen e institucioneve përkatëse të këtij procesi.
Vakancat e krijuara në sistem për shkak të largimeve të shumta kanë passjellë nevojën për të adresuar strategjikisht rritjen e numrit të pranimeve në Shkollën e Magjistratëve dhe ruajtjen e cilësisë profesionale, formimit të shëndetshëm etik dhe promovimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistem.
Rritja e eficencës së sistemit padyshim do të ndihmohet edhe nga harta e re gjyqësore. Institucionet me përgjegjësi ligjore si Ministria e Drejtësisë dhe KLGJ do të duhet të peshojnë në mënyrë të kujdesshme nga njëra anë adresimin e nevojave imediate të sistemit të drejtësisë dhe nga ana tjetër garantimin e aksesit në drejtësi të çdo qytetari. Një hap i rëndësishëm që i parapriu kësaj vendimmarrje, ishin edhe ndryshimet ligjore në maj 2021, të cilat mundësuan funksionimin e plotë të degëve të gjykatave.
Disa vështirësi i kemi adresuar suksesshëm përmes paketës ligjore të eficencës së sistemit, përmes përmirësimit ndjeshëm të mirëadministrimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorisë, përdorimin me eficencë të burimeve njerëzore dhe financiare, lehtësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga një seri veprimesh administrative nëpërmjet njësive ligjore të parashikuara rishtaz, uljen e ngarkesës dhe shpejtësinë e gjykimit për qytetarët.

Tanimë, avancimi i reformës në Drejtësi është në momentin që kërkon vullnet, angazhim, ritëm pune dhe bashkëpunim midis të gjithë aktorëve. Gjithëkush prej nesh ka përgjegjësinë dhe detyrat e veta që burojnë nga Kushtetuta dhe ligji, por të gjithë ndajmë të njëjtin qëllim. Prandaj kërkohet koordinim dhe ura bashkëpunimi, duke e konsideruar si vlerë të shtuar të domosdoshme për ta çuar përpara këtë reformë.

I gjithë procesi i hartimit të kësaj strategjie gjithëpërfshirëse ka qënë vetëm, një ndër shembujt e punëve të mira që janë rezultat i bashkëpunimit.
Qëllimi i kësaj tryeze është fillimi zyrtarisht i një fazë të re, atë të konsolidimit të rezultateve të reformës në Drejtësi të mishëruara në këtë document strategjik të drejtësisë, si udhërrëfyes për vitet në vijim, i asaj çfarë është ndërtuar deri tani.

Për hartimin e Strategjisë së re Ndërsektoriale të Drejtësisë është punuar për një periudhë të gjatë, nga një grup pune i udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë me përfaqësues nga të gjitha institucionet e drejtësisë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, asistuar në të gjithë procesin nga misioni Euralius.
U punua për pothujase një vit intensivisht për këtë dokument strategjik, i paraprirë nga një analizë dhe pasuar me një plan veprimi.

Janë organizuar më shumë se 25 takime konsultuese të dokumentit final, në të cilat kanë dhënë kontrubutin e tyre aktiv rreth 264 pjesëmarrës, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, pedagogë, partnerë ndërkombëtarë, shoqëri civile, noterë, përmbarues, etj.

Paketa e re gjithëpërfshirëse strategjike adreson jo vetëm problematikat me të cilat përballet sistemi, por edhe rritjen e profesionalizmit dhe eficencës të vetë sistemit kundrejt standardeve më të mira evropiane.
Reforma në Drejtësi gjatë rrugëtimit të saj ka patur sfidat, vështirësitë dhe kundërshtarët e saj por nga ana tjetër ka pasur dhe vazhdon të ketë mbështetje të pakushtëzuar nga Qeveria, Ministria e Drejtësisë si në instrumenta ligjorë, mbështetje buxhetore dhe infrastrukturore si një investim për të ardhmen e vendit.

Një mbështetje e plotë është treguar në këto vite nga Kuvendi, i cili ka qënë edhe laboratori i kësaj sipërmarrjeje, ku jo vetëm u hodhën themelet e sistemit të ri të drejtësisë por është dhënë mbështetje aktive në miratimin e ndryshimeve ligjore si dhe në adresimin e kërkesave të institucioneve të drejtësisë.
Reforma në Drejtësi ka patur mbështetjen, asistencën dhe kontributin nga partnerët ndërkombëtarë BE dhe SHBA, pa të cilën do të ishte e vështirë zbatimi i kësaj reforme. Për këtë me lejoni e nderuar Ambasadore Kim dhe Ambasadori Soreca t’ju shpreh mirënjohjen time dhe të qeverisë shqiptare si dhe të gjitha vendeve të tjera mike dhe partnere që vazhdojnë të na mbështesin në konsolidimin e sistemit të ri të drejtësisë.

Padyshim një aktor shumë i rëndësishëm janë aktorët e shoqërisë civile, të cilët do doja t’i falenderoja jo vetëm në kontributin në procesin e hartimit të këtij dokumenti strategjik por edhe në dimensionin tjetër thelbësor që i kanë dhënë vështrimit të reformës, syrin kritik dhe vlerësimin profesional të ecurisë së kësaj reforme.

Një falenderim i shkon përfaqësuesve të medias pavarësisht nga interesat dhe këndvështrimet e ndryshme të lidhura me linjat e tyre editoriale, përmes rolit të gazetarëve të atashuar pranë institucioneve të drejtësisë kanë luajtur një rol të dobishëm në transparencën e procesit dhe me zërin kritik konstruktiv kanë ndihmuar për t’ju dhënë shtysë pozitive disa çështjeve ku kërkohej mbështetje e fortë publike për të ecur përpara në ngritjen e institucioneve të reja dhe funksionimin normal të tyre.
Në përmbyllje të kësaj fjale, mbetem besimplotë se vullneti ynë i përbashkët, bashkëpunimi dhe koordinimi eficent do të jetë një tjetër shtysë e fortë për të avancuar me zbatimin e reformës në 5-vjeçarin e ardhshëm.

Reforma në Drejtësi është shpresa e qytetarëve për një qeverisje shumë më të mirë, për më shumë besim te shteti dhe institucionet e tij, është ura jonë lidhëse me të ardhmen tonë europiane.

Është përgjegjësia jonë për ta shtruar këtë rrugë, për t’ju kthyer qytetarëve besimin e munguar te drejtësia, tek e ardhmja!

Jemi në rrugën e duhur, por na duhet shumë punë, më shumë sakrifica e angazhim për ta çuar deri në fund këtë projekt, projektin e të ardhmes europiane të vendit, projektin për një të ardhme më të mirë për familjet tona, për fëmijët tanë!

Secili do të bëjë sa më mirë detyrën në respektim të Kushtetutës e ligjit, por vetëm të gjithë bashkë do të mund ta bëjmë këtë projekt të pakthyeshëm, të pacënueshëm dhe të suksesshëm!

Ju faleminderit!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb