TIRANE- Drafti me ndryshime Kushtetuese i hartuar nga ekspertë të nivelit të lartë vendas dhe të huaj mori miratimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi për t’iu dërguar për mendim Komisionit te Venecias. Opozita kërkoi një javë kohë që të njiheshin me draftin dhe të jepnin rekomandimet e tyre. Kërkesa e demokrateve ngjalli debate të forta në Komision, dhe në fund u la që opozita të kishte afat deri ditën e premte për të paraqitur komentet e saj për draftin e ndryshimeve kushtetuese.
Ndërkohë në përfundim të mbledhjes së komisionit, deputeti demokrat Eduard Halimi kundërshtoi propozimet e mazhorancës për emërimet në sistemin e drejtësisë që kërkojnë 84 vota.
“Xhafa je fajtor për prishjen e konsensusit. Prit ta votojmë së bashku draftin. Nuk ke pse e prish konsensusin në këtë moment, po të kërkoj të tregohesh i matur me procesin”, tha Halimi.
Paketa e plotë do i dërgohet në rrugë zyrtare Komisionit të Venecias. Edhe ekspertët e OPDAT dhe Euralius shprehen komentet pozitive për punën e ekspertëve të nivelit të lartë, teksa theksuan se është një draft paraprak dhe se palët mund të punonin për një draft të përbashkët.
REFORMA NË DREJTËSI, HALIMI: MOSKONSULTIMI ME EKSPERTËT E PD MINON PROCESIN. MAJKO: KUSHTETUTA DO MIRATOHET ME VOTAT E TË GJITHËVE
Komisioni Parlamentar për reformën në drejtësi ka diskutuar dhe miratuar në mbledhjen e sotme kërkesën e Presidentit Bujar Nishani për të marrë pjesë 2 ekspertë të KLD-së. Deputeti Eduard Halimi tha se anëtarët e djathtë të këtij komisioni janë njoftuar se kanë përfunduar amendamentet. Sipas tij hartimi i amendamenteve dhe i rendit të ditës, është i njëanshëm.
Halimi tha se moskonsulmitm me ekspertët e PD për amendamentet minon procesin.
Deputetët e djathtë kanë kërkuar që drafti i reformës t’i përcillet Komisionit të Venecias.
“Kemi dyshime për propozime që kapin drejtësinë. Drafti që kanë sjellë ekspertët të mbahet 1 javë”, tha Halimi.
Por në përgjigje të kësaj, deputeti Xhafa tha se drafti është sjellë nga specialistët vendas e të huaj.
Ndërkaq, deputeti socialist Pandeli Majko tha se materiali nuk është dokument i shumicës, duke shtuar se “kolegët e PD kanë të drejtë të kenë një material të vetin dhe ta dërgojnë në Komisionin e Venecias”.
Më tej, Majko shtoi se materiali i ekspertëve të lartë nuk është përfundimtar. Sipas deputetit socialist propozimet e shumicës dhe opozitës duhet të shkojnë bashkë në Komisionin e Venecias.
“Kushtetuta do miratohet dhe me votat e kolegëve”, tha Majko.
(el.sp/BalkanWeb)