TIRANE – Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili thekson rëndësinë që reforma në drejtësi të jetë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, sipas modelit të dekriminalizimit.

Në një deklaratë për mediat, Vasili tha se konsensusi për këtë reformë është i mundur, pasi mjedisi politik në Shqipëri është i gjithi në favor të kësaj reforme të rëndësishme. LSI vlerëson raportin e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, duke theksuar se rolin e këtij komisioni nuk mund ta luajë askush tjetër.

“Miratimi i ligjit të dekriminalizimit është një hap shumë i rëndësishëm për rrugën e europianizuese ku ka hyrë vendi. Konsensusi gjithëpartiak rrit besimin dhe afron më tej Shqipërinë me Bashkimin Evropian. Miratimi i këtij ligji provoi se ndërtimi i konsensusit është i mundur, si dhe është rruga që duhet të na prijë për një tjetër moment të rëndësishëm që kemi përpara, siç është reforma në drejtësi. LSI mbështet kryerjen e kësaj reforme të rëndësishme. LSI vlerëson mbështetjen e madhe që Komisioni i Venecias po i jep Shqipërisë për reformën në drejtësi. Ne e mbështesim një reformë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale në drejtësi, sipas modelit të dekriminalizimit. Konstatojmë se mjedisi politik është i gjithi në favor të reformës në drejtësi. Konsensusi është gjithashtu një sugjerim i rëndësishëm që gjendet edhe në raportin paraprak të Komisionit të Venecias.”- deklaroi Vasili.

LSI dhe grupi i saj parlamentar do të organizojë dëgjesa publike me ekspertë, akademikë dhe qytetarë gjithashtu, për reformën në drejtësi.

Lidhur me deklaratën e Bashës për raportin e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, Vasili pohoi se: “Më vjen mirë për këtë deklaratë të zotit Basha. Pas kësaj deklarate duket qartë se rruga e konsensusit është rruga më e afërt. Gjykatësi i vetëm, Komisioni i Venecias, paraqet këtë gjë. Ne kemi dokumentin e duhur, na krijon favore”.

DEKLARATA E PLOTE E VASILIT
Në mbyllje të sesionit parlamentar të vjeshtës, Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson se në përfundim të këtij sesioni, Parlamenti realizoi një vendimmarrje të rëndësishme, miratimin e ligjit të Dekriminalizimit dhe ndryshimeve kushtetuese që lidhen me të.

Miratimi i këtij ligji, është një hap tejet i rëndësishëm për rritjen e standardit të përfaqësimit politik në rrugën evropianizuese ku ka hyrë vendit.

Gjithashtu dhe me mjaft rëndësi është fakti i një prove të kaluar me sukses për realizimin e konsensusit gjithëpartiak, i cili rrit besimin dhe mbështetjen e publikut për reformat e ndërmarra dhe afron më tej Shqipërinë me Bashkimin Evropian.

Miratimi i këtij ligji është gjithashtu edhe një aksion i rëndësishëm politik që provoi se ndërtimi i konsensusit bazuar në parime solide e transparente e të gjithëpranuara është i mundur, si dhe është rruga që duhet të na prijë për një tjetër moment akoma më të rëndësishëm që kemi përpara, siç është ai i reformës në drejtësi.

Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet plotësisht kryerjen e kësaj reforme aq jetike për shqiptarët, si dhe kryerjen e saj sa më parë, në mënyrë gjithëperfshirëse dhe me cilësinë më të lartë.

Tashmë është bërë publik raporti paraparak i Komisionit të Venecias.

LSI vlerëson raportin paraprak të Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese në Shqipëri, që lidhen me reformën në drejtësi.

Gjithashtu, ne vlerësojmë mbështetjen e madhe që Komisioni i Venecias po i jep Shqipërisë për reformën në drejtësi si një reformë jetike që të gjithë shqiptarët e presin.

Konkluzionet e këtij raporti reflektojnë edhe mjaft konstatime të bëra nga grupi parlamentar i LSI, të cilat u depozituan në Komisionin e Venecias së bashku me projektin e eksperteve.

Ne e mbështesim një reformë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale në drejtësi, sipas modelit të reformës së dekriminalizimit.

Konstatojmë aktualisht se mjedisi politik është i gjithi në favor të reformës në drejtësi dhe kjo është një premisë pozitive thelbësore që e bën plotësisht të mundur gjithëpërfshirjen dhe realizimin e konsensusit në Parlament për miratimin e reformës në drejtësi.

Konsensusi është gjithashtu një sugjerim i rëndësishëm i cili gjendet edhe në raportin paraprak të Komisionit të Venecias.

Të gjitha konkluzionet e raportit të Komisionit të Venecias janë tepër të rëndësishme për një reformë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, parime mbi të cilat duhet të mbështetemi si një vend anëtar i Këshillit të Europës, NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Evropian.

LSI vlerëson se Komisioni i Venecias është gjykatësi i vetëm më i besueshëm dhe i nivelit më të lartë profesional i kësaj reforme, gjykatës i gjithëpranuar nga të gjitha partitë politike dhe këtë rol nuk mund ta luajë askush tjetër.

Profesionalizmi, standardet më të larta dhe transparenca janë parimet e vetme ku duhet dhe do të mbështetet kjo reformë jetike.

Vetëm këto parime do të formësojnë një reformë solide dhe afatgjatë, larg nga dilentatizmi dhe populizmi që nuk bëjnë gjë tjetër përveçse do të riciklonin eksperimentet, por dhe gabimet e mëdha të së shkuarës.

Në mbështetje të këtij procesi, LSI dhe grupi i saj parlamentar, do të organizojë dëgjesa publike për njohjen me reformën dhe me vlerësimet e Komisionit të Venecias, me ekspertë, konstitucionalistë, akademikë të jurisprudencës dhe të së drejtës kushtetuese, si dhe me qytetarët gjithashtu, me qëllimin e vetëm për të çuar përpara dhe materializuar këtë reformë jetike për qytetarët, vendin dhe të ardhmen evropiane të tij.

Pyetja nga gazetarët
Cili është komenti juaj për deklaratën e z. Basha se PD do të votojë reformën në drejtësi vetëm nëse do të përmbushen rekomandimet e Komisionit të Venecias?

Mua më vjen mirë për këtë deklaratë të z. Basha. Sigurisht pas kësaj deklarate, duket qartë se rruga e konsensusit është gjithmonë e më pranë, sepse në fund të fundit, bashkëndajmë të gjithë faktin, që gjykatësi i vetëm i reformës, pra Komisioni i Venecias, na ka dërguar qartë se çfarë duhet të bëjmë më mirë dhe çfarë duhet të përmirësojmë në mënyrë themelore në draftin që është paraqitur. Dhe pas verifikimit të tyre, ne kemi pra dokumentin e duhur politik të reformës në drejtësi, i cili transformohet në dokument ligjor dhe në dokument, që pas këtij deklarimi të z. Basha që ju më citoni, na krijon një ambient gjithëpërfshirës, pasi nuk ka asnjë palë tjetër, e cila nuk është me Venecian. Pra, nuk kemi një faktor tjetër politik i cili është kundër Venecias.
(er.nu/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: