TIRANE – Reforma në drejtësi duket se ka kaluar këtë të mërkurë ngërçin e parë mes palëve politike, ku e djathta nuk u paraqit në mbledhjen e radhës, me arsyetimin se mazhoranca kërkon të kapë politikisht institucionet e sistemit të drejtësisë.

Por për kreun e grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, ekzistenca e një debati profesional, ku palët ndajnë pikëpamjet e tyre, i bën mirë procesit. Ndryshe nga sa deklaroi ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, një ditë më parë, se konsensusi tashmë nga ekspertët duhet të kalojë në një nivel politik, Vasili e sheh të nevojshme ndërhyrjen politike vetëm në rast ngërçi.

“Në rast se do kemi çështje që kërkojnë aktivizim të instrumenteve të tjera, do eksplorohen edhe këto mundësi. Por për mendimi tim, tavolina e ekspertëve akoma ka shumë për të bërë e për të thënë”- tha Vasili.

Ndërsa hyrje-daljet e ministrave të LSI dhe në zyrën e kreut të Kuvendit, Vasili nuk e lidh aspak me ndryshime në kabinetin qeveritar. Sipas tij, komunikimi është i rëndësishëm për një mazhorance, dhe e kundërta, pra moskomunikimi, do të duhej të sillte zile alarmi për ndryshime në karriget e ministrave.

“Nuk ka pasur një debat të tillë, dhe nuk ka patur një diskutim të tillë. Takimet e zakonshme të kryetarit të parlamentit, kryeministrit të vendit dhe ministrave të caktuar për cështje të caktuara janë ngjarje e zakonshme e politikës, e qeverisjes së vendit. Në rast se nuk komunikojnë, në politikë diçka nuk funksionon.”- tha Vasili.

Ne komunikimin me gazetarët, kreu i grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili, i quajti të parakohshme bisedimet për reformën zgjedhore, që sipas tij, duhet të nisin me hapjen e sesionit të ri parlamentar. Në tryezën e kësaj reforme, vijon më tej ai, do të duhet të zbresin të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR për të pasur në zgjedhjet e radhës, një proces me standardet e kërkuara.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: