TIRANE- Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili mbështeti iniciativën e mazhorancës për tu tërhequr nga drafti që kishte paraqitur për Reformën në Drejtësi, për të cilën opozita nuk ishte dakord.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion” në “News 24″, Vasili e cilësoi rrugën e duhur, rifillimin e komunikimit mes dy palëve politike dhe përfshirjen në këtë proces të ekspertëve.

“Rifillimi i komunikimit është rruga e duhur. Reforma në Drejtësi duhet të jetë prioritet për të gjitha forcat politike. Nuk bëhet fjalë për ndarje të qëndrimeve politike. Duhet të jemi korrekt mes të gjitha palëve, por prioritet është Reforma në Drejtësi. Një pjesë e tyre kërkesave janë teknike. Zgjidhjet duhet të jenë të qëndrueshme. Është e rëndësishme se produkti vjen pas një analize të gjerë të situatës. Ky lexim gjakftohtë, pasi politika është e infektuar nga taktikat e saj, ndërsa lënia në dorë të ekspertëve, është gjë e mirë dhe pozitive”, tha Vasili.

Ai pohoi se maxhoranca është e gatshëme të mbështes një reformë gjithëpërfshirëse, që parashikon dhe pikat e Komisionit të Venecias. “Këtu flitet për ndryshime kushtetuese, që do u hapin rrugën hartimeve të tjera kushtetuese. Hymë në një rrugë që do na japë një produkt, që do na sigurojë një drejtësi me ato standarde”, pohoi ai.

Vasili shtoi më tej se: “Nëse duam të jemi objekt për procesin, arsyeja që ne insistojmë që të ec në diskutimin e ekspertëve, duke u mbështetur në eksperienca të mira, duhet të afrohet tek një model që nuk lejojnë politikën ti afrohet kësaj çështje. Kjo e afron politikën dhe mirëkuptimin, por largon ato zgjidhje, siç është zgjidhja e kryeprokurorit, etj. Nuk duhet të jetë politika ajo që bën ekspertin, apo eksperti që bën politikën. Një pjesë e mirë e reformave të tilla janë bërë nga ndërkombëtarët, por një pjesë e tyre nuk i kanë rezistuar kohës”.

Vasili tha se është me rëndësi bashkëpunimi mes të gjithë aktorëve për realizimin e reformës në drejtësi, duke përmendur edhe ftesën e kreut të Kuvendit Ilir Meta, drejtuar opozitës për t’iu bashkuar tryezës së bisedimeve.

“E rëndësishme është të kemi një konsensus për procesin. Të gjitha kontributet janë të mirëpritura. Nuk do ta quaja konsensus të sforcuar nga ndërhyrja e ndërkombëtarëve. Duhet që të mos kemi pro dhe kundër nga një proces që është në interesin e të gjithëve. Kreu i Parlamentit, Ilir Meta, vlerësoi sot edhe kontributin që opozita ka dhënë në këtë proces, dhe e riftoi në diskutimet për reformën në drejtësi. Kjo ndryshon nga reforma territoriale, ku opozita qëndroi pothuajse tërësisht jashtë procesit. E u përfshi në vonë, ndërkohë që kjo tërheqje nuk pati asnjë efekt pozitiv”, tha Petrit Vasili.

INTERVISTA E PLOTE
Z. Vasili, si e gjykoni punën e deritanishme mbi reformën në drejtësi dhe rikthimin e ekspertëve të opozitës në këtë proces?
Opozita ka ekspertë të cilët e gëzojnë edhe besimin e saj në aspektin profesional. Produkti është konceptuar në mënyrë të atillë që të jetë sa më i mirë nga pikëpamja profesionale dhe sa më me integritet në këtë drejtim. Ndaj ky rifillim i komunikimit është rruga e duhur. Për të qenë të sinqertë ne e kemi pasur një qëndrim prioritar pasi Reforma në Drejtësi bashkëndahet si prioritet madhor nga të gjithë aktorët politikë në vend. Ka një pikë të përbashkët për atë që është udhëzuesi që është Komisioni i Venecias. Kemi një draft paraprak, i cili është ndërtuar dhe çuar në Venecia, e cila është shoqëruar me komentet e duhura. Jemi në ato momenti ku po ecet shpejt dhe shkohet me qëllimin për ta finalizuar atë. I bëhet shërbim një reforme afatgjatë, që krijon stabilitet në sistemin e drejtësisë. Kryesorja është që kjo do t’u jepte edhe një besim më të madh qytetarëve, të cilët do të ishin të bindur që mënyra sesi u prodhua dhe gjerësia politike me të cilën u mbështet ishin ato që formësojnë reformën dhe krijimin e një sistemi drejtësie sipas standardeve të munguara.

A ka ndarje në qëndrimet e palëve politike?
Nuk bëhet fjalë për ndarje të qëndrimeve politike. Duhet të jemi korrekt mes të gjitha palëve. Prioriteti i palëve duhet të jetë prioritet Reforma në Drejtësi. Çështje ku ka ndarje janë formulime të caktuara, të cilat një pjesë e tyre janë të karakterit teknik. Përkujdesja është e tillë që zgjidhjet të jenë të qëndrueshme dhe me një prioritet kryesor.

Po këmbënguljen e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar si e gjykoni?
Kontributi i faktorit ndërkombëtar është për t’u përshëndetur për të formësuar një besim më të madh midis palëve. Një proces i tillë është një proces i zhveshur nga politizimi i tepërt dhe sendërton një produkt që vjen nga ekspertët shqiptarë dhe të mbështetur nga ekspertët e huaj. Është e rëndësishme se produkti vjen pas një analize të gjerë të situatës dhe ka një orientim madhor për të mos ricikluar fenomene të së shkuarës. Ky lexim është gjakftohtë edhe pse politika është e infektuar nga taktikat e saj. Por, lënia në dorë të ekspertëve, është gjë e mirë dhe pozitive. Ka qenë dhe janë njerëz me integritet. Duke pasur një konstante konsensusi është një rrugë e duhur që i bashkon të gjithë. Një reformë e bërë me standardet më të mira dhe një proces transparent e garanton edhe më shumë këtë realizimin e kësaj reforme. Në këtë mënyrë, hyjmë në hulli të një procesi që do të kërkojë edhe ai kohën e tij por që në fund do të na japë atë produkt që në një kohë afatgjatë, në një 10-vjeçar do të sigurojë një reformë në drejtësi me standardet e duhura dhe një kontroll më shumë të këtij sistemi. Kjo do të thotë që ai nuk ofron standardet e duhura të gjykimit merr edhe ndëshkimin. Ai që është profesional ecën edhe në karrierë.

Pavarësisht se procesi është në duart e ekspertëve, ka edhe çështje politike në këtë rast që lidhen me institucionet e drejtësisë. Cilat janë konkretisht këto çështje dhe a do t’i nënshtrohen ato një diskutimi politik?
Arsyeja që ne këmbëngulim që ky proces të vijojë në diskutimin e ekspertëve është që nga përvojat e kaluara ndërkombëtare të ofrojmë një model që nuk lejon politikën të ketë hapësirat e saj në këtë çështje. Ky diskutim i ekspertëve afron edhe politikën, edhe konsensusin. Procesi në këtë rast ka marrë një rrugë tjetër, në mënyrë që të mos jetë politika ajo që bën ekspertin apo eksperti që bën politikën. Kjo është risia e qasjes në këtë proces. Më parë përvoja na ka treguar që një pjesë e mirë e reformave të tilla janë bërë nga ndërkombëtarët, por një pjesë e tyre nuk i kanë rezistuar kohës. Hapësira ku lëviz të jenë të ngushta. Alternimi politik është një proces i pandashëm ndërsa zgjidhjet në sistemin e drejtësisë duhet të jenë afatgjata. As të mos afektohen dhe as të mos ngjyrosen nga mazhorancat e momentit. Ky lexim i së shkuarës na bën që të jemi në këtë drejtim. Ndaj që në fillim nuk ka qenë qeveria nismëtare e këtij procesi por Parlamenti përmes grupit të ekspertëve. Konstatimi ka qenë ky; të bëjmë gjithçka për të arritur tek konsensusi. Ka qenë fat i mirë që kemi pasur Komisionin e Venecias kaq aktiv si kurrë më parë. Jemi të kushtëzuar edhe nga një aspekt pozitiv, që lidhet hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Janë një mori faktorësh që e kushtëzojnë që edhe zgjidhja të jetë e shpejtë por pa i përsëritur gabimet, duke pasur gjakftohtësinë e duhur që të jemi të matur në atë bëjmë. Por, të kemi edhe disa pika të përbashkëta parimore ku mazhoranca dhe opozita të afrojnë me njëra-tjetrën.

A nuk iu duket një konsensus i sforcuar për këtë reformë duke pasur dhe ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve?
Unë nuk do ta quaja as të sforcuar, unë do thosha e rëndësishme të kemi një konsensus. Tani, cilët janë aktorët të cilët kontribuojnë në proces? Ku kontribuojnë për mirë, të gjitha kontributet janë të mirëpritura. Në rast se kontributet nuk do prodhojnë një zgjidhje të mirë, aq më tepër konsensusi është një zgjidhje maksimaliste, një zgjidhje që qetëson të gjithë dhe rrit besimin, sigurisht kjo është akoma më mirë se kaq. Cilët janë aktorët në proces dhe përfaqësuesit e huaj? Është mirë kushdo e bën. Ti priremi një fryme të tillë sepse na intereson të mos kemi pro dhe kundër në një proces që na bashkon të gjithëve. Në rast se është një shqetësim që i bashkon të gjithë shqiptarët, nuk mund të jetë politika jashtë këtij shqetësimi. Ju patë sot një qëllim politik të Kryetarit të Parlamentit, z. Meta i cili e vlerësoi në mënyrë logjike edhe atë kontribut që opozita ka dhënë, me vërejtjen edhe me komentet e saj, edhe me pjesëmarrjen e saj, sepse një pjesë e elementëve të reformës kanë kaluar me mirëkuptimin e saj edhe në mbledhjet e para. Ju dalloni qartë kontrastin, për shembull, një reformë tjetër të rëndësishme siç ishte reforma territoriale, ku ne pamë një opozitë e cila qëndroi tërësisht, pothuajse jashtë procesit. Nuk u bë pjesë as në diskutim, as në votim, as në komisionet përkatëse, asgjëkund. Çfarë prodhoi? Iu bashkëngjit më vonë procesit, një procesi zgjedhor, trashëgoi një seri mosbesimesh, ka pasur njerëz në opozitë që kanë thënë në mendjen e tyre se nuk prodhoi asgjë të mirë, apo pozitive të qëndruarit jashtë. Më mirë një konsensus i vështirë i arritur në tavolinë, sesa të qëndruarit jashtë një tavolinë ku nuk do jesh as aktor, as faktor.

Ka pasur një prononcim nga z. Alibeaj menjëherë pas takimit që ka qenë i ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët për tërheqjen e draftit të pa konsultuar. Duket se nuk është shenjë e mirë…
Ne nuk do përdorim metafora meteorologjike këtu. Problemi është ky: në fund të fundit, nuk është e thënë që verbërisht të dëgjojmë njëri-tjetrin. Por të debatojmë me argumente me njëri-tjetrin, ky është një detyrim. Elementët e karakterit profesional, juridik, por edhe politik mund të zhvillohen në tavolina. Të gjitha elementët e bojkotimit, qëllimit të fortë, shumë të ashpër, në distancë nuk kanë prodhuar asgjë të mirë, as për forcat politike, por as produktin që prodhohet në fund. Kështu që, mendoj që në këtë pikëpamje është më mirë që ekspertët të ushtrojnë denjësisht momentin e diskutimit profesional, të mbajnë distancën e duhur nga ajo që është preferenca e tyre politike që drafti të jetë më i miri, pasi i gjithë sistemi që kemi prodhuar i cili funksionon dhe që është sot, që është prodhuar nga politika, nga rangje politike, nga ato që kanë qenë prekupacionet e saj për përfitime të caktuara, do prodhojë një problematikë të kësaj natyre. Thënë e gjithë kjo, është një mësim i vyer i së shkuarës që të mos përsëritet. Tani kemi një rrugë se ku të ecim, kjo rrugë është Komisioni i Venecias. Është shumë për tu përshëndetur që ai u vu në dispozicionin tonë tani, politikës i duhet të prodhojë me shpejtësi atë që duhet me cilësi për ti dhënë gjithnjë e më shumë kohë vetes për të ecur në momentin e dytë të hartimit të ligjeve të cilat do e zbërthejnë këtë normë kushtetuese. Normat kushtetuese orientojnë problematikat se ku do eci procesi. Por shumë nga ligjet që do të hartohen më pas do të jenë shumë të rëndësishme. Edhe këto do të kenë debatin tyre, por rëndësi ka që debati të hyjë në rrugën e shëndetshme të argumentit dhe jo më të kalkulimit të vogël politik. Ideja e numrave që ju përmendët, aq të treta, nuk dua të vë numrin përkatës sepse nuk dua të krijoj asnjë lloj polemike. Formula të ndryshme kemi pasur edhe për zgjedhjen e presidentit të republikës qe ju e kujtoni, i kemi ndryshuar. Ideja e kalkulimit politik nuk na ka çuar gjithmonë në rrugën e duhur. Ndërsa ai që quhet standard i qëndrueshëm, që prodhon transparencën, por mbi të gjitha në fund të ditës të na prodhojë besimin qytetarëve. Pra qytetarët e panë,e prekën me dorën e tyre, e panë që morën gjykim në kohë të shpejtë, nuk panë korrupsion apo bakshishe të mëdha që ndryshojnë fatin e pasurive të njerëzve, fatin që dënohen pa pasur faj, që prishin jetën e njerëzve. Duke parë këto rezultate në tavolinë, të gjithë këta qytetarë që jetojnë sot, por edhe ata mjaft e mjaft të tjerë që do kenë mundësi të kenë në duar produktin e kësaj reformë, sigurisht në kuptimin e mirë të fjalës, do bekojnë ditën që kjo gjë u bë.
Frika nga një shifër si 3/5 për situatën që është sot, pra frika e opozitës ngaqë mazhoranca i ka, mund të prodhojë një shifër tjetër si 2/3 që mund ta bëj të vështirë nesër vënien në shina të drejtësisë…
Ju e perifrazuat me saktësi atë që unë thashë më parë. Çështja është e tillë, të mos flasim dhe të mos gjykojmë mbi atë që janë numrat e mazhorancës së momentit. Mazhorancat krijojnë mbështetje elektorale nga më të ndryshmet në kohë të ndryshme. Ka mazhoranca të mëdha, ka mazhoranca më të ngushta, ka mazhoranca me shumë parti, ka mazhoranca me numër më të vogël partish, kjo është një çështje e verifikimit elektoral që ndodh në çdo 4 vjet. Por nuk është çështje e reformës në drejtësi, siç janë ndryshimet kushtetuese që i paraprijnë dhe deri te ligjet që do ta shoqërojnë më pas. Dhe çdo lexim i numrave të momentit të çon në reforma dritëshkurtra.
(ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: