NGA TEUTA VODO*

Ekzistojnë të paktën katër kushte paraprake në të cilat qeveritë vendosin të reformojnë gjyqësorin: Kur gjyqësori nuk është i përgjegjshëm; kur nuk është i pavarur; kur qeveritë duan të inkurajojnë investime të reja; dhe së fundmi kur ka presion ndërkombëtar.
Në rastin e reformës aktuale, të gjitha këto kushte janë prezente dhe mund të favorizojnë një reformë të suksesshme. Me gjithë këto premisa, ndodh ajo që shumë e quajtën të paevitueshme; aktorë të ndryshëm të përfshirë në reformë janë të interesuar, më shumë se sa në reformë, të garantojnë paprekshmërinë e tyre.

Të gjithë ata që patën hije dyshimi që aktorët politik do linin në mënyrë vullnetare ndërkombëtarët të formulonin reformën gjyqësore pa asnjë ndërhyrje, tanimë janë të sigurt në tendencën e politikës shqiptare. Nuk është i ri fenomeni që rezultatet e reformave kthehen në produkt të strategjive dhe interesave të caktuara. Por në rastin konkret, gjendemi përballë një mazhorance që insiston që 3/5-tat e votave në Parlament, pra 84 vota, të jenë të mjaftueshme për të siguruar zgjedhjet e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të 20 e ca gjyqtarëve.

Me fjalë të tjera, të vendosë nën kontroll të plotë të gjithë sistemin e drejtësisë. Opozita kërkon që zgjedhja të bëhet me 2/3–at e deputetëve, pra me 94 vota. Pra, shihet qartë që aktorët politikë përpiqen të gjejnë një kompromis midis strukturave të reja të propozuara nga aktorët ndërkombëtarë dhe interesave te tyre.

Historikisht, ka pasur dy arsye pse aktorët politikë kanë kërkuar të kontrollojnë reformën gjyqësore. Së pari, reforma e institucioneve gjyqësore përcakton hapësirën ku aktorët politikë mund të ndikojnë në përbërjen e gjykatave duke lejuar ose ndaluar influencën e tyre në bërjen e politikës. Normat mbi karrierën e gjyqtarit dhe masat disiplinore ndikojnë tek emërimet e gjyqësorit dhe si rrjedhojë tek pavarësia e tij. Me fjalë të tjera, arsyeja kryesore e mungesës së pavarësisë personale të gjyqtarëve gjendet tek procedimi i emërimeve. Historikisht, kur studiojmë rastet korruptive të politikanëve në sisteme të ndryshme, parlamentet kanë luajtur rolin e gjyqtarit në rast shkeljeje nga anëtarët e tij; kur kanë të bëjnë me akuzat ndaj ministrave, ish-ministrave etj. Pyetja që unë shtroj tani është: Sa gjasa ka që në kontekstin shqiptar, politika të mos tentojë ta prezervojë këtë pushtet?

Së dyti, preferencat dhe strategjitë mbi reformat gjyqësore janë të ndikuara edhe nga niveli i pasigurisë mbi zgjedhjet elektorale. Partitë politike lejojnë krijimin e gjykatave të forta atëherë kur e ardhmja politike është e pasigurt. Por nëse koalicioni qeverisës beson se ka perspektivë elektorale në të ardhmen, gjykatat do jenë të dobëta.

Arsyeja pse insistoj tek emërimet gjyqësore, që çdokush e kupton që janë pikë kyçe, është sepse nga mënyrë sesi emërohen gjyqtarët varet pavarësia e tyre psikologjike. Kjo e fundit përbëhet nga kurajë, moral, përgjegjshmëria dhe njohuria. Por ndërkohë që këto tre të fundit arrihen me instrumente të vëna në dispozicion të drejtësisë, respektivisht me anë të sanksioneve (që tashmë janë hartuar në draft), shkollës së magjistraturës si kusht për tu emëruar apo trajnimeve të tjera, kurajo e një gjyqtari varet sidomos nga organi që e ka emëruar. Kjo pavarësi është akoma më e vështirë pasi lidhet me vetë perceptimin e gjyqtarëve dhe realizimin e pavarësisë së tyre personale.

Një gjyqësor i pavarur lidhet ngushte me trashëgiminë institucionale dhe kulturore të qeverive të mëparshme dhe kjo ndikon në rezultatin e reformës dhe konsolidimit të saj. Duket qartë që asnjë nuk është i interesuar mbi këtë aspekt, pra mbi pavarësinë personale të gjyqtarëve. Si rezultat, nga kjo reformë nuk do kemi gjyqtarë por, në rastin më të mirë, teknokratë që do fshihen pas interpretimit formal të ligjit.
* Kërkuese Shkencore, Parlamenti Europian

(GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: