Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, deklaroi dje në parlament se administrata në bashkitë e vendit është rritur dyfish dhe është mbushur me patronazhistë.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Vasili tha se reforma e vitit 2014 të miratuar nga qeveria e atëhershme ka lënë qytetarët pa shërbime. Vasili tha se qytetarët paguajnë taksa, por nuk marrin shërbime mbrapsht dhe se i penalizuari kryesor është fshati, pasi sipas tij banorët e zonave rurale nuk kanë ku trokasin për zgjidhjen e problemeve të tyre.

“Besoj që jemi në fund të një dite diskutimi të gjatë, por shyqyr që mbaroi pasi ishte kohë e shpenzuar kot. Në vend që ta konsumonim debatin për çështje me delikate, ku populli vuan për bukë, e shpenzuar për këtë.

Qëllimi kryesor i reformës së atëhershme ishte të pakësonte administratën. Por shqiptarët duhet ta dinë që administrate në këto njësi administrative është dyfishuar. Është mbushur dëng me patronazhistë.

Bashkitë e tjera janë në falimentim financiar. Kemi një pushtet lokal i rrëmbyer në duart më të këqija të mundshme. Na ka prurë në këtë pikë ku kemi bashki të falimentuara. Ishte më mirë kur ishte më keq. Çfarë kanë bërë këto bashki të mëdha, u kanë hequr shërbimet qytetarëve. Paguan për të marrë shërbime dhe nuk merr asgjë mbrapsht. Paguajnë lista të gjata patronazhistësh. Një ushtri parazitësh pa fund, me histori korruptive pa mbarim.

Siç është afera e inceneratorëve. Për shkak të binomit qeveri-bashki të stilit koreano verior kemi miliona euro borxh dhe po shkohet drejt falimentimit të bashkive. Sot nuk janë në gjendje të thonë se cili shërbim i ri ka ndryshuar me këtë reformë. I penalizuari kryesor është fshati. Sot po i qajnë me lot komunat. S’kanë ku trokasin.

Taksat ua kërkojnë këtyre një për një. Një gjymtyrë korruptive e qeverisë e asgjë më shumë. Ju e shikoni që edhe kur ndonjë kryebashkiak flet diçka ndër dhëmbë, dëgjon histeritë e kryeministrit. Ujë me bote, kur u premtua uji 24 orë. Të gjithë e dinë mirë se çfarë ndodh. Kjo ka sjellë krizën më të rëndë të shërbimeve që shqiptarët kanë parë. Qytetarët po qajnë komunat e dikurshme që ne i anatemuam si të paafta”, deklaroi Vasili.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: