TIRANE- Partia Socialiste ka ardhur sot me një propozim të ri sa i takon ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Përmes një deklarate për mediat, deputeti socialist Taulant balla, në emër të grupit të PS, tha se është parashikuar një shtesë në Kod, sa i takon kandidaturave për deputet për zgjedhjet e ardhshme.

Në bazë të këtij propozimi, nuk do të lejohen që të kandidojnë për deputet ata gjyqtarë dhe prokurorë që nuk i janë nënshtruar procesit të vettingut, apo janë dorëhequr nga detyra pa e plotësuar të gjithë procesin e vlerësimit të pasurisë.

“Në emër të grupit do të bëj disa propozime për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Ne do të prezantojmë një shtesë, që parashikon ndalimin e pjesëmarrjes në zgjedhje të kandidaturave që mund të vijnë nga sistemi i drejtësisë, por që nuk i janë nënshtruar vettigut.

Çdo gjyqtar që nuk ka kaluar në procesin e vettingut, apo është tërhequr nga profesioni pa e përfunduar procesin e vlerësimit, nuk mund të përfshihet në listat e kandidimit për zgjedhje. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen pa hequr dorë nga detyrë, gjyqtarë e prokurore të tjerë”, tha Balla.

Sakaq, Balla i bëri ftesë deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, afati i punimeve të të cilit u shty edhe me një muaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb