TIRANE- Taulant Balla iu përgjigj bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore nga PD, Oerd Bylykbashi, i cili tha se , votimi dhe numërimi elektronik janë garancia e vetme për votën e lirë dhe të ndershme pasi në këtë mënyrë pengohet ndërhyrja e komisionerëve në procesin zgjedhor. Balla u shpreh se Bylykbashi nuk foli për rekomandimet e OSBE-së mbi reformën zgjedhore, ndërsa PD po përpiqet të bëjë kthim mbrapa.

“KE ka investuar për ekspertizën, pasi ka asistuar me dy nënkryetaret. Jam plotësisht dakord me dokumentin që na ka dhënë KE. Të takohemi në 10 janar për dokumentin që na është propozuar për transparencën zgjedhore. Bylykbashi kërkon që të mos ketë reklamë me pagesë, por pa pagesë në televizione gjatë fushatës zgjedhore. Kjo është kundër ekonomisë së tregut. Kjo nuk është e pranuar në asnjë vend të botës. Në cilin vend të botës televizionet private bëjnë reklamë falas për partitë politike. Duhet që ne të sanksionojmë për shkeljet që bëhen gjatë zgjedhjeve”- tha Taulant Balla.

Ndërkohë Balla foli dhe për konsensusin mes palëve dhe grupimet në PD. Ai u shpreh se mazhoranca i ka votat e nevojshme, por kërkon konsensus me opozitën për reformën zgjedhore. Më tej Balla u shpreh se PD kërkon që partitë politike të financohen nga fondet e shtetit si dhe televizionet të transmetojnë reklama politike pa pagesë.

“Nuk e shoh të vështirë mirëkuptimin mes palëve, pasi ne i kemi votat në Kuvend, por duam të bëjmë reformën me konsensus. Brenda PD ka dy grupime, ku njëri grupim thotë të mos bëjmë reformë, ndërsa grupi tjetër thotë të mos bëjmë reformë. Nuk e di ku bën pjesë Bylykbshi, tek cili grupim. Për të dy dokumentet qe kam prezantuar të më thotë se çfarë nuk i pëlqen dhe çfarë duhet ndryshuar. Sa i përket ligjit për kodin zgjedhor kemi propozuar që partitë politike ta kenë të ndaluar përdorimin e banerave dhe simboleve politike në vendet e papërcaktuara. Më thuaj çfarë varianti ke ti?
Në fund të vitit 2016 i kemi kërkuar PD të zgjedhë qarkun ku do që të realizohet votimi elektronik. Bylykbashi ka harxhuar 4 milion euro gjatë qeverisjes së tij dhe nuk e ka realizuar reformën. PD do që partitë politike të financohen vetëm me fondet e shtetit. Do zoti të gjejmë busull në vitin 2017, se në 2016 nuk e gjetëm”- u shpreh Balla.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb