Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka propozuar 3 pikat që sipas tij duhet të përfshijë Reforma Zgjedhore për të lënë pas zgjedhjet problematike.

Patozi thotë se listat e hapura, korrektim kombëtar dhe depolitizmi I komisioneve është trinomi kryesor që jep zgjidhje reale dhe afatgjatë.

Sipas Patozit, edhe marrëveshja që është arritur në Këshillin Politik është për të ruajtur status- quo dhe ajo duhet rrëzuar, por për ta krahasuar ai kujton një shprehje të ish- liderit të Bashkimit Sovjetik, Stalin i cili thoshte se nuk ka rëndësi kush voton, por ata që numërojnë.

 

STATUSI NGA ASTRIT PATOZI

DISHEPUJT E FUNDIT TË STALINIT JANË NË SHQIPËRI

 

“Njerëzit që votojnë nuk kanë asnjë rëndësi, ata që numurojnë vendosin gjithçka”. Kjo është një shprehje e vjetër që i mëvishet ta ketë thënë Stalini, e cila shpjegon qartë konceptin për zgjedhjet të njërit prej diktatorëve më gjakatarë të historisë së njerëzimit.

Edhe pse kohët, rrethanat dhe personazhet mund të mos kenë asnjë ngjashmëri, pak a shumë të njëjtën gjë duket se mendojnë sot ata, që nënshkruan dakordësimin e Këshillit Politik për ruajtjen e statuskuosë në zgjedhjet tona.

Sepse thelbi i marrëveshjes famëkeqe Rama-Basha ishte që çunat problematikë të tre partive recidiviste në vjedhje votash t’i mbanin sërish duart e tyre të ndotura brenda kutive të votimit. Gjithçka tjetër, që diskutohet për këtë temë, ose nuk ka të njëjtën vlerë, ose është teknikalitet pa shumë rëndësi.

Ndaj edhe është e domosdoshme që ajo të rrëzohet, qoftë edhe vetëm për ta çliruar Shqipërinë nga ai mentalitet i ndyrë stalinist për zgjedhjet, më shumë se 100 vjet pas Revolucionit të Tetorit, ku dy apo tre veta duan të numurojnë votat e gjithë të tjerëve.

Listat e hapura, korrektimi kombëtar dhe depolitizmi i komisioneve është trinomi kryesor, që jep zgjidhje reale dhe afatgjatë për një reformë zgjedhore të qënësishme.

Vetëm nëse arrihet kjo, ne mund të shpresojmë se i kemi lënë pas krahëve zgjedhjet problematike, gjithmonë të kontestuara dhe i kemi hapur rrugën një etape të re të përfaqësimit politik dhe të vendimmarrjes në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb