TIRANE – Edhe pse ende herët, pasi puna e Komisionit të Reformës Zgjedhore nuk ka nisur, forca kryesore e opozitës ka disa qëndrime për këtë reformë, megjithëse ende jo zyrtare.

“News24” ka mësuar se demokratët janë kundër ndryshimit të sistemit aktual, duke lënë në këtë mënyrë të hapur opsionin e mos mbështetjes se propozimit të listave të hapura për deputetët.

Përpos rekomandimeve te dhëna nga OSBE në raportin përfundimtar për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, të djathtët do t’i kushtojnë rëndësi sanksioneve kundër blerjes së votës.

Burime gjithashtu konfirmuan se demokratët nuk do te mbështesin as propozimin e kryeministrit për depolitizmin e komisioneve zgjedhore. Në tryezën e reformës në drejtësi, të djathtët do të kërkojnë që financimi i fushatave politike të bëhet 100% nga buxheti I shtetit duke kërkuar edhe penalizime me humbje mandati në rast se konstatohet financim nga privati.

Ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga ana e PD-së, për reformën zgjedhore, ndërkohë që këtë të dielë pritet që në selinë blu të mblidhet kryesia e grupit parlamentar për prioritet mbi këtë çështje.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb