TIRANE– Dy partitë e mëdha, PD e PS kanë mbetur në ngërçin për votimin elektronik. Opozita i qëndron idesë së saj për zbatimin e identifikimit biometrik, votimin e numërimin elektronik në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Nga ana e tij, ministri socialist, anëtar i kryesisë së PS-së, Arben Ahmetaj u shpreh se për këtë teknologji në zgjedhjet e qershorit nuk ka më kohë. Sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani deklaroi dje për mediat se PD është e gatshme të negociojë me shumicën për të arritur realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, por në të kundërt opozita kërcënon me bojkot të parlamentit e protesta.

“Opsion janë të gjithë veprimet demokratike; që nga protestat, bojkoti, bisedimet, domethënë çdo veprimtari demokratike që preson qeverinë dhe shtyn qeverinë drejt realizimit të një qëllimi të madh siç janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, janë të gjitha opsione të mundshme”, u shpreh dje, Ristani. Ndërsa ministri socialist Ahmetaj tha se nëse opozita do të bojkotojë, kjo është një zgjedhje e saj.

I ftuar në emisionin “Kapital” në “Vizion Plus”, Arben Ahmetaj tha: “Një opozitë që bojkoton zgjedhjet nuk është opozitë, megjithatë është në vendimmarrjet e tyre. Ajo që na takon ne është, (si aleancë si PS) që të bëjmë reformat, të vendosim siguresat e duhura që sistemi zgjedhor të jetë transparent”. Sipas Ahmetajt, zgjedhje pas zgjedhjesh vihet re një përmirësim në administrimin e procesit, ndaj shtoi ai: “Ne u vëmë gishtin problemeve që dalin për administrimin. Dhe vullneti për t’i përmirësuar është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. Ne këtë detyrim kemi”, u shpreh Ahmetaj.

BOJKOTI

Në mbledhjen e fundit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Elektorale, PD u largua pas rrëzimit të kërkesës së saj për teknologjinë në zgjedhje. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani sqaroi: “Ne do të jemi pjesë e komisionit, siç jemi, dhe do të vazhdojmë të punojmë në rast se do të ecim në këtë drejtim. Kozmetikat janë të panevojshme, domethënë ne nuk mund të shkojmë në komision për të punuar le të themi për bastarditete të tilla si të mos lejohet prodhimi i çakmakëve me logon e partive”.

I pyetur se përse PD këmbëngul për një identifikim të votuesve në bazë të shenjës së gishtit dhe votim e numërim elektronik, Ristani tha: “Rama dhe të vetët e kanë bazuar pushtetin e tyre mbi krimin dhe kriminelët, mbi bandat e krimit, mbi bandat e drogës, të cilat nuk japin shpresë për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Nga ana tjetër, të gjithë treguesit, qoftë zgjedhjet e 2015, qoftë zgjedhjet në Dibër apo ato në Ersekë kanë treguar që Rama e të vetët përpiqen të realizojnë fitoren në zgjedhje duke i blerë votat, duke i ndikuar nëpërmjet krimit dhe kriminelëve dhe e gjithë kjo tablo na bën të besojmë që duhen gjetur forma dhe mënyra që ne të diktojmë zgjedhje të lira e të ndershme si themeli i një shoqërie demokratike”.

PD e ka depozituar prej muajsh platformën e saj dhe përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, kontrolli i financimit të parave në fushatën elektorale apo të tjera propozime si këto, ajo i diskutoi edhe në komision. Në mbledhjet e këtij komisioni deri më tani nuk ka pasur asnjë punë konkrete, madje disa herë Kuvendi është detyruar të shtyjë mandatin e komisionit të posaçëm.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb