Reforma Zgjedhore. Reforma Zgjedhore. Reforma Zgjedhore. Reforma Zgjedhore. Thuajse një axhendë ciklike e elitës politike në Shqipëri në këto 30 vitet e fundit. Arsyeja kryesore përse Reforma Zgjedhore mbetet në debatin publik në mënyrë të përsëritur, është qasja afatshkurtër e partive politike për të synuar amendime deri në zgjedhjet e ardhshme dhe jo për të pasur një objektiv afatgjatë të ndërtimit të institucioneve demokratike. Në tërësi, kompromiset për Reforma Zgjedhore në rastin e Shqipërisë arrihen për t’u zhbërë në një periudhë të dytë. Reforma Zgjedhore në varësi të rezultatit ka shërbyer kryesisht për të mos pranuar fituesin. Ky është ekuilibri i përhershëm politik në vend, që nuk do të zhbëhet as me këtë reformë të prezantuar së fundmi. Teknikalitetet e ofruara në tavolinë janë e do të mbeten përherë joshteruese të fenomenit të “deformimit të votës” e për rrjedhojë, rezultati do të jetë përherë i kontestuar.

Për të pasur një Reformë Zgjedhore që synon me të vërtetë konsolidimin e demokracisë në vend, atëherë qasja duhet të ishte e plotë dhe e pakthyeshme e Kodit Elektoral. Në periudhë tranzicioni politik, synimi i zgjedhjeve është dhënia e plotë e legjitimitetit qeverisës partisë fituese dhe moskontestimi i zgjedhjeve, për të arritur në një shoqëri me demokraci të konsoliduar, paqe dhe stabilitet. Por fakt është që nga zgjedhjet e vitit 1996, përjashtuar zgjedhjet e 2005-ës, çdo parti politike në vend që ka humbur zgjedhjet ka kontestuar procesin zgjedhor, duke çuar në polarizim të shoqërisë. “Hap kutitë ose largohu”, “largim nga Parlamenti”, “djegie mandatesh”, “krimi dhe vota” janë pasoja të një sistemi përfaqësimi partiak, që ka frikë të marrë përsipër realizimin e një Kodi Zgjedhor të pakontestueshëm. Kjo, pasi humbja ka gjithnjë nevojë për një justifikim e ndaj të gjitha partitë politike nuk duan e nuk kanë arritur dot një Kod Elektoral, që heq mundësinë e kontrollit të procesit zgjedhor apo që të jetë institucionalisht i pakontestueshëm në legjitimimin e fituesit.

Kodet zgjedhore në Shqipëri kanë qenë kryesisht mekanizma të dobët, që kanë përkeqësuar krizën politike në vend e nuk kanë konsoliduar demokracinë vendëse. Në 2009, opozitari Rama kërkonte justifikim për humbjen e zgjedhjeve nëpërmjet hapjes së kutive e sot opozita djeg mandatet sepse sipas saj janë vjedhur votat. Teorikisht, tri fazat e tranzicionit politik janë: pushteti autoritar liberalizon sistemin politik, mbahen zgjedhjet e para pluraliste dhe së treti, arritja e një kompromisi të rregullave të lojës dhe konsolidimi i tyre. Ne teorikisht jemi në fazën e konsolidimit të procesit demokratik e jemi në fund të tranzicionit. Por partitë politike nuk po ngrihen dot mbi politikën e ditës dhe shfrytëzojnë gjithnjë periudhën para zgjedhjeve për të bërë amendime të Kodit Elektoral, në varësi të sfidave afatshkurtra të tyre. Duke analizuar sjelljen historike të partive politike në vend, duket e qartë se dhe kjo Reformë Zgjedhore do t’u shërbejë partive politike për të marrë norma apo rekomandime ndërkombëtare për axhenda politike lokale. Kështu, Reforma Zgjedhore në vetvete shërben vetëm si një proces për kontroll e për aleanca të reja me ndërkombëtarët, por jo si vullnet reformimi real politik. Klientelizmi mes votuesit dhe politikanit nuk mundet të luftohet nga procedurat teknike të menaxhimit të procesit zgjedhor. Të gjitha partitë politike në fushatë janë pre e kërkesave të elektoratit për vende pune, për tenderë, për fonde apo për mbrojtje. Partitë nuk votohen për program, por për akses kryesisht në strukturën shtetërore gjatë qeverisjes. Sa më i varfër të jetë elektorati e sa më shumë pushtet të pakontrolluar të ketë shteti, aq më e madhe është kjo kërkesë. Dhe vullneti politik për zhbërjen e klientelizmit nuk është i qartë. Ndaj, në mungesë të kësaj të fundit dhe reforma e vitit 2020 do të ketë të njëjtin fat si reformat e shkuara. Do të zhbëhet për të mos pranuar asnjëherë fituesin, sepse humbja e privilegjeve shtetërore është shumë e lartë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb