Prej kohesh kam patur dilemën nëse ka një projekt për transferimin e PD drejt LSI. Për mbështetësit e PD ‘aleanca me LSI’ ka qenë gjthmonë jo-komode, jo natyrale, kohët e fundit edhe amorale. Mbështetësit mund ta kenë pranuar deri diku në 2009 si një praktikë qeverisëse post-zgjedhore. Mund ta kenë toleruar edhe për shkak të betejës për Tiranën në 2011, por nuk e kuptuan dhe nuk e përtypën kurrë tendencën për t’u shkrirë me të gjatë 10 viteve te fundit.

Në fakt leximi i rezultatit të zgjedhjeve 2021 dhe 2023 ndihmon në qartësimin e këtij dyshimi, ndaj ndoshta është arsyeja reale se pse Foltorja refuzon ta lexojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

Në vitin 2021, PD, duke qenë e pandarë asokohe, mori mbi 617.000 vota ndërsa LSI pothuaj 110.000 vota. Në zgjedhjet e 2023 Foltorja u shkëput nga PD dhe u fut nën sqetullën e LSI/PL duke garuar me ‘Bashkë Fitojmë’. Ky bashkim nuk arriti të marrë me shumë se 252.000 vota ndërkohë që PD zyrtare mori 106.000 vota. Ajo që bie në sy është që opozitës së djathtë mungojnë të paktën 260.000 vota.

Krejt ndryshe nga siç u lexuan zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit 2022 të cilat i shërbyen Foltores për të markuar territorin dhe për të penetruar idenë se Foltorja ka shumicën në parti, rezultati i zgjedhjeve të fundit tregon të kundërtën. Foltorja bashkë me LSI kanë veç 260.000. Të paktën 365.000 vota opozitare nga 600.000 të tilla kanë refuzuar Foltoren. Ky lexim është i qartë dhe i pakontestueshëm.

Pretendimi sipas të cilit opozita paska marrë 504.000 vota është sa haluçinant aq dredharak dhe mashtrues, pasi ato janë vota të mbledhura në mazhoritar dhe jo nga subjekti. Mazhoritari matet me mandate jo me vota. Ne mazhoritar Bashkë Fitojmë ka marrë 7 mandate dhe ato nuk i ka marre Berisha vetëm, por me Belerin & co.

Për shkak të mungesës së transparencës së marrëveshjes midis Foltores dhe LSI/PL nuk mund të identifikohet qartë se sa nga 260.000 votat janë LSI/PL dhe sa të Foltores. Dhe kjo nuk është as e rastësishme as e paqëllimshme. Është interesant të shihet se si janë ndarë mandatet fituese mes Foltores dhe LSI/PL. Duke sondazhuar listat fituese në bashkitë kryesore shihet që ndarja e mandateve fituese është pak a shumë në raportet 45% LSI – 55% Foltore.

Nuk ka një shpjegim publik (dhe nuk mund të kenë një shpjegim racional dhe politik në fakt) të kësaj ndarjeje, por mundësitë janë dy;

Mundësia e parë është që Foltorja, edhe pse e di që pesha reale e LSI/PL ka rënë shumë më pak se 45% e opozitës, (117.000 vota), ia ka lëshuar terrenin e përfaqësimit të opozitës së djathtë LSI/PL-së. Kjo konfirmon dyshimet që Foltorja është e interesuar në spostimin e opozitës së djathtë drejt ombrellës së LSI/PL. Ky nuk mund të jenë një projekt politik i Foltores, por vetëm një projekt privat i kastës sunduese të opozitës që synon kalçifikimin e interesave private brenda një guacke që është gjithmonë e më shumë në tkurrje elektorale. Përmes konsolidimit të pushtetit të LSI/PL brenda opozitës së djathtë ky projekt i shëmtuar çon në mënyrë të pashmangshme drejt asgjesimit të mbështetjes për PD apo opozitën e djathtë. Kjo është edhe arsyeja pse mbështetësit e djathtë kanë abandonuar masivisht këtë projekt.

Mundësia e dytë është që partnerët e koalicionit Bashkë Fitojmë mendojnë që 45% LSI 55 Foltore është edhe raporti i kontributeve të këtyre forcave në zgjedhje ndaj edhe i kanë ndarë mandatet në këto raporte. Kjo do të thotë që Foltorja e di që peshon rreth 145.000 vota (55% të 260.000 votave të Bashkë Fitojmë). Nëse ky shpjegim është i vërteti kjo do të thotë që Foltorja nuk ka shumicën e mbështetësve të djathtë me vete, përkundrazi është një minorancë e refuzuar nga të djathtët dhe në opozitën e djathtë raporti i forcave është i ndarë; Foltore 145.000 vota, PD zyrtare 106.000 vota dhe protestues ndaj kastës sunduese të opozitës të paktën 260.000 votues. Kjo është një konkluzë mjaft interesante dhe që esencialisht sugjeron që opozita e djathtë e ka mundësinë që të mos mbetet peng i Foltores dhe përmes reformimit mund të zgjerohet me 260.000 vota.

Ky është një potencial i jashtëzakonshëm dhe një shpresë që mbështetësit e djathtë nuk e kanë luksin të mos e vlerësojnë. Por që të shfrytëzohet ky potencial duhet të ndodhë reformimi i Partisë Demokratike. Deri më sot ajo ka treguar frike të distancimit real me modelin dhe trashëgiminë e Foltores. Dhe kjo e ka penalizuar duke i larguar asaj të paktën 260.000 vota të djathta opozitare.

Çfarëdo që të zgjedhin demokratët, analiza e të dy mundësive të vleresimit të rezultatit të këtyre zgjedhjeve provon se rruga drejt LSI/PL është rruga e gabuar për PD, Foltoren dhe të djathtën

Votuesit opozitarë presin të shohin një reformim real të të djathtës në mënyrë që të angazhohen. Partia Demokratike ia ka këtë borxh mbështetësve të saj pasi reformimi real i PD është rruga e vetme për ringritjen e opozitës së djathtë, angazhimin e votuesve të djathtë që kanë refuzuar ‘status-quo’-në aktuale. Por çka është më e rëndësishme, vetëm reformimi i PD do i ndërpriste rrugën projektit të mbrapshtë të transferimit të PD drejt LSI.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb