Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) ka bërë të ditur se po punon për të zhvendosur mijëra refugjatë të Republikës së Afrikës Qendrore në vende të sigurta në Republikën Demokratike të Kongos.

UNHCR njoftoi se do të zhvendosë refugjatët nga Afrika Qendrore të cilët aktualisht janë në kushte të rrezikshme në zonat e largëta kufitare të Republikës Demokratike të Kongos.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, të paktën 100 mijë persona janë zhvendosur brenda vendit nga dhuna e fundit, ndërsa rreth 107 mijë të tjerë u larguan në vendet fqinje, përkatësisht në Kamerun, Çad dhe Republikën Demokratike të Kongos.

Autoritetet e Republikës Demokratike të Kongos vlerësojnë se rreth 92 mijë refugjatë kanë mbërritur në Republikën e Afrikës Qendrore pasi dhuna e lidhur me zgjedhjet shpërtheu në muajin dhjetor.

Luftimet midis një koalicioni të grupeve jo-shtetërore të armatosura dhe forcave qeveritare vazhduan gjatë dy muajve të fundit, duke e çuar vendin në një cikël të ri të dhunës.

Sipas njoftimit të UNHCR-së, agjencia e OKB-së dhe Komisioni Kombëtar i Refugjatëve i Republikës Demokratike të Kongos (CNR) “do të përgatisë katër vende të zhvendosjes për rreth 35 mijë refugjatë për të jetuar së bashku me komunitetet lokale dhe për të rritur të korrat e tyre, për të ndjekur shkollat lokale dhe për të përfituar nga shërbimet e tjera që u shërbejnë pritësve të tyre të Republikës Demokratike të Kongos”.

Më tej, po ashtu theksohet se vendosja e refugjatëve në bashkësitë lokale do t’u mundësojë atyre të jetojnë me më shumë dinjitet dhe pavarësi.

“Shumica e refugjatëve të Afrikës Qendrore tani jetojnë përgjatë brigjeve të lumenjve në zonat kufitare të vështira për t’u arritur, midis komuniteteve pritëse me burime jashtëzakonisht të kufizuara. Kushtet janë të tmerrshme, me shumë refugjatë që flenë në strehimore të improvizuara. Shumica kanë pak ose aspak qasje në ujë të pijshëm, kanalizime ose ushqim. Disa janë mirëpritur nga familjet pritëse, ndonjëherë me deri në tre familje refugjatësh që jetojnë në një shtëpi të vetme”, thuhet në njoftimin e UNHCR-së.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb