NGA MIRA BREGU, OKB GJENEVË*

Agjencia për refugjatët pranë Kombeve të Bashkuara, UNHCR, ka komentuar rreth marrëveshjes mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë për situatën e refugjatëve dhe emigrantëve që kërkojnë të mbërrijnë në Evropë. “Njohim nevojën e përbashkët të vendeve për të gjetur zgjidhjet e duhura për këtë situatë. Në të vërtetë, UNHCR ka ofruar muajt e fundit rekomandimet e saj specifike për Evropën lidhur me këtë çështje.

Kaosi që ka mbizotëruar në vitin 2015 por edhe tashmë në vitin 2016 nuk i shërben as interesave të personave që po arratisen nga lufta dhe as vetë Evropës. Marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë qartëson një sërë elementesh. Është e qartë se çdo mënyrë e zbatimit të marrëveshjes do të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe Evropian. Sa i përket UNHCR, në bazë të ligjeve përkatëse, kjo do të thotë se personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare do t’iu bëhet një intervistë individuale nëse kërkesa e tyre mund të vlerësohet në Greqi dhe do të kenë të drejtën të apelojnë para ripranimit në Turqi”, komenton UNHCR.

Kjo gjithashtu bën të mundur se personat e kthyer, personat që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, do t’iu jepet mundësia të kërkojnë mbrojtje në Turqi. Mënyra sesi ky plan do të zbatohet, është shumë e rëndësishme. Në fund të fundit, përgjigja duhet të jetë duke adresuar nevojat e individëve që largohen nga lufta dhe persekutimi.

Refugjatët kanë nevojë për mbrojtje dhe jo refuzim. Së pari, kushtet e pritjes së Greqisë për refugjatët dhe sistemi i saj për vlerësimin e aplikimit të refugjatëve duhet të forcohen. Së dyti, për personat e kthyer në Turqi dhe që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare duhet të ketë një përcaktim të duhur për kërkesat e tyre dhe brenda një kohe të arsyeshme. Së treti, është e rëndësishme që angazhime të tilla të jenë kuptimplota, ka përfunduar UNHCR.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: