GJERMANI-“Azilkërkuesit janë kontrolluar pas mbërritjes në qendrat e pritjes, nëse me vete kanë para dhe gjëra me vlerë”, tha ministri i Brendshëm bavarez, Joachim Herrmann, për gazetën “Bild”. “Paratë dhe gjërat më të vlefshme se 750 euro mund të konfiskohen dhe ato mund t’u kthehen atyre gradualisht.” Për masa të ngjashme është njoftuar edhe nga landi Baden-Württemberg, ku prej refugjatëve mund të konfiskohen paratë nëse ata kanë më shumë se 350 euro për person.

Kontrollet
Por ka pasur edhe disa përjashtime. Ministrja e Integrimit në Baden-Württemberg, ka sqaruar për DW shkaqet e marrjes së parave nga refugajtët. Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë Christoph Häring pohon se “ata nuk janë po bëjnë kontrollime sistematike për para dhe gjëra me vlerë. “Por në kuadër të kontrolleve të përgjithshme është konstatuar se disa refugjatë kanë sasi më të mëdha parash me vete.”

Kjo nuk është ndonjë praktikë e re. “Kontrolle ka pasur gjithmonë”, tha Stephan Dünnwald, nga Këshilli për Refugjatë në Bavari. “Refugjatëve u jepen fatura për çdo gjë që u merret dhe ato para më pas përdoren për shpenzimet e këtij personi. Zakonisht llogaritet se një person shpenzon rreth 400 euro në muaj. Kështu parashikohet me ligj dhe këtu nuk ka asnjë kufizim të ri”, shpjegon ai. Në javët dhe muajt e kaluar ka ndodhur që janë gjetur me dhjetëra mijëra euro tek ndonjë refugjat. Këto para shfrytëzohen për mbajtjen e këtij personi dhe familjes së tij, në kohën sa qëndron në strehimore. Nëse rastësisht largohet nga Gjermania, personi mund t’i marrë me vete paratë e mbetura.

Ministria e Baden-Württembergut pohon se paratë nuk merren nga refugjatët për t’u derdhur në arkat e landit, por për të kompensuar shpenzimet e përgjithshme që kanë të bëjnë me fluksin e refugjatëve. “Refugjatët rishpërndahen në të gjithë vendin, dhe paratë udhëtojnë me ta, si të thuash,” thotë Häring. Ndërsa Dünnwald mendon ndryshe: “Shumica e refugjatëve janë grabitur nga kontrabandistët me njerëz. Dhe tani edhe shteti gjerman vjen dhe ua merr çdo gjë që u ka mbetur.” Refugjatëve kjo ua vështirëson vazhdimin e rrugës, nëse eventualisht duan të shkojnë në Belgjikë, Suedi apo diku tjetër.

Baza ligjore
Kjo procedurë e ka mbështetjen e Qeverisë Federale, bëri të ditur e ngarkuara e qeverisë për integrime, Aydan Özoguz. Për gazetën “Bild” ajo tha se shteti ka të drejtë të sekuestrojë bizhuteri dhe gjëra me vlerë. “Azilkërkuesit nuk kanë ndonjë të drejtë më të madhe se ata që marrin ndihma sipas sistemit (të të papunëve) Hartz IV,” tha ajo. Özoguz thotë për DW se qeveria ka shprehur mbështetje për zbatimin e ligjeve përkatëse në këtë fushë, që do të thotë se personave qe kanë para ato mund t’u konfiskohen dhe të përdoren për qëndrimin e tyre në strehimore.

Ligji parashikon që të gjitha mjetet financiare të një personi apo të një familje duhet të shfrytëzohet para se të jepen ndihma sociale. Këtu bëjnë pjesë shpenzimet për ushqime dhe akomodim. Personat lejohen të mbajnë vetëm 350 euro – një shumë afërsisht e barabartë me ndihmat sociale.

(d.d/DW/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: