TIRANE

Në një kohë kur propozimi i Gent Cakajt si ministër i Jashtëm shkaktoi përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta, për shkak të mosdekretimit të tij, ‘BalkanWeb’ ka siguruar informacione se cili mund të jetë kandidati i radhës.

Burime nga PS thanë për gazetarin Ergys Gjencaj se kryeministri Edi Rama do të çojë emrin e tij si kandidat për ministër të Jashtëm në tryezën e presidentit Meta.

Po sipas të njëjtave burime, mësohet se socialistët do t’i votojnë në bllok ndryshimet në qeveri, të gjithë ministrat e rinj, pra do të presin edhe dekretin e kreut të shtetit për ministrin e Jashtëm, për të votuar më pas kabinetin e ri qeveritar në një seancë të posacme plenare.

Ndërkohë, burime nga PS bënë me dije se është diskutuar edhe një ridërgim për emrin e Cakajt në Presidencë,  por kjo gjë është refuzuar, për të shmangur kështu një refuzim të dytë nga Meta.  Lidhur me ngërcin e krijuar mes Presidencës dhe Kryeministrisë, PS do i drejtohet gjykatës Kushtetuese, për të kërkuar nëse Presidenti ka të drejtë të refuzojë një propozim të kryeministrit.

Kujtojmë se ky rasti kur kryeministri mban edhe postin e ministrit të jashtëm, është një skenar i ngjashëm që përdori edhe kryeministri grek Aleksandër Tsipras pas dorëheqjes së Nikos Kotzias, duke e zëvendësuar këtë të fundit. Tashmë ngelet për t’u parë nëse presidenti Ilir Meta do të dekretojë emrin e Ramës dhe nëse rezulton se miratohet, përveç kryeministrisë ai do të mbajë edhe portofolin e ministrit të Jashtëm.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm, PS mblodhi Kryesinë e saj, mbledhje e parë për këtë vit, ku u diskutua për cështje organizative për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb