TIRANË- Mbledhja e Komisionit të Jashtëm Parlamentar është shoqëruar me debate të ashpra dhe tone të larta zëri, ndërsa nuk kanë munguar fyerjet. Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati ka qenë sot i pranishëm në mbledhjen e Komisionit ku ka folur në lidhje me refuzimin që i ka bërë drejtimit të Komitetit Ekonomik në OSBE për vitin 2015. Por deklaratat e tij kanë irrituar deputetët e opozitës. Bushati tha se drejtimi i këtij komiteti është refuzuar pasi është më i parëndësishmi dhe Shqipëria ka kërkuar të drejtojë një komitet më të rëndësishëm, atë të sigurisë. Nga ana tjetër deputeti i PD-së, Aldo Bumçi tha se “partnerët e Shqipërisë janë të shokuar nga kjo vendimmarrje”, duke e quajtur Bushatin turp në MPJ. Ndërsa deputetja socialiste, kryetarja e Komisionit të Jashtëm Arta Dade tha se ka qenë një sugjerim nga partnerët dhe jo skandal.

“Ka përpjekje për drejtim të përbashkët me Austrinë. Jemi në kërkim të një vendi me peshë në OSBE, një vend i tillë që ka të bëjë me sigurinë evropiane. Komiteti për të cilin flasim është më i parëndësishmi. Më duhet të sqaroj deklaratat për refuzimin e Komitetit Ekonomik. Është spekuluar për këtë çështje. Është e drejta jonë legjitime që të kërkojmë një komitet me rëndësi. Shqipëria nuk është më në fazën post-komuniste, ndaj nuk mund të pranojnë çdo gjë me entuziazëm”, tha ministri Bushati.

Ndërkaq deputeti demokrat Aldo Bumçi akuzoi ministrin Bushati se po tenton të zhvlerësojë rolin që i është dhënë Shqipërisë në OSBE. Ai tha se drejtimi i Komitetit Ekonomik në OSBE, u pranua njëherë në muajin maj të 2014-ës dhe u refuzua në shtator nga Ministria e Jashtme.

“Partnerët tanë janë të shokuar nga kjo vendimmarrje. Bushati u mundua të zhvlerësojë këtë rol. Ruani qetësinë. Propozimi për drejtimin e komitetit në maj u pranua,
në shtator Ministria e Jashtme e refuzoi. Nuk ka pasur kërkese për të marrë Komitetin e Sigurisë. Nuk kemi luksin të themi jo për drejtimin e një komiteti. Si e justifikon këtë qëndrim anti-kombëtar? Jeni një turp dhe skandal në Ministrinë Jashtme”, i ka thënë deputeti Bumçi ministrit Bushati.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb