Një 49-vjeçar gjerman, ka vrarë punëtorin e një karburanti, pasi ky i fundit refuzoi t’i shërbente pa vendosur maskën mbrojtëse.

Autoritetet në qytezën perëndimore, Trier, thanë se i dyshuari u ka thënë policëve se ka vepruar nga zemërimi, pasi arkëtari 20-vjeçar në një pikë karburanti i kërkoi që ta vendoste maskën, shkruan The Guardian.

Sipas prokurorit shtetëror, i dyshuari ishte ndier sikur është zënë në një qoshe dhe viktimën e cilësonte “përgjegjëse për tërë situatën në përgjithësi, sepse ai po i zbatonte masat”.

I dyshuari u fut të shtunën në pompën “Aral” rreth orës 7 e 45 minuta në mbrëmje dhe mori një paketim me gjashtë birra. Nga pamjet e kamerave të sigurisë shihet se ai kishte maskë të vendosur në xhepin e pasmë të pantallonave.
Pasi arkëtari i kishte thënë dy herë se është e obligueshme që të vendoset maska përderisa ndodhet brenda lokalit, burri i kishte lëshuar birrat pas shkëmbimit të shkurtër të fjalëve.

Ai u kthye dy orë më pas, kësaj radhe me maskë në fytyrë, të cilën e tërhoqi nën mjekër. “Ai nxori një pistoletë nga xhepi dhe e qëlloi një herë në mënyrë fatale studentin 20-vjeçar nga Idar-Obstein”, tha policia.

I dyshuari iku nga vendi i ngjarjes, por u dorëzua në polici mëngjesin e ardhshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: