Këtë të mërkurë është zhvilluar Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit.

Kryetari i Komisionit Enkelejd Alibeaj, ndërsa bëri me dije objektivat e mbledhjes,  njoftoi se për bashkinë Tiranë dhe Vlorë do të depozitohet kallëzimi penal për shpërdorim detyre.

“Kujtoj që miratimi i planit do të ishte i plotë vetëm kur veprimtarinë hetimore ta kemi të plotë, në bazë të ligjit. Nëse ka ardhur përgjigja nga 59 bashki, ministritë dhe 12 inspektorate dhe një sërë institucionesh të tjera, këtu ka diçka që nuk shkon për institucionet e tjera kanë kaluar tre javë. Ne duhet të reagojmë sa herë që vërehet një diferencë në rastin më të mirë të mos kthimit të përgjigjes, jo njëherë, por e treta herë. Njoftimi ka mbërritur në këto bashki dhe besoj se nuk ka asnjë lloj justifikimi ligjor për të pritur. Është detyrim ligjor për secilin anëtar për të reaguar. Në dy seancat e kaluara kam bërë paralajmërimin, jo kërcënim, thjeshtë sjellja në dijeni e sanksioneve që ka komisioni në dorë për të reaguar kur institucionet e tjera nuk përgjigjen. Në përfundim të kësaj mbledhje, theksoj se për bashkinë Tiranë dhe Vlorë do të depozitohet kallëzimi penal për shpërdorim detyre”, tha më tej Alibeaj.

Gjatë fjalës së tij Oerd Bylykbashi u shpreh se ky Komision nuk mund të nëpërkëmbet me heshtje.

Nga ana e tij Toni Gogu, theksoi se po nuk po realizohet qëllimi për të cilën janë mbledhur, ndërsa bëri thirrje që të mos humbet kohë por Komisioni të nisë nga puna, pasi sipas tij shteti është në këmbë për të hetuar zgjedhjet.

“ Në rend ditë kemi thelbin e këtij Komisioni, ndërkohë që po vazhdojmë të humbim kohë. Pretendimet e kolegëve hidhen poshtë nga moria e informacionit që ka mbërritur. Mos u panikoni, shteti është ngritur në këmbë sepse do të hetojë zgjedhjet”, theksoi Toni Gogu.

Pjesë nga diskutimi:

Enkelejd Alibeaj: Bashkia Tiranë dhe Bashkia Vlorë nuk i janë përgjigjur detyrimit ligjor për të sjellë në komisionin hetimor për zgjedhjet dokumentet e kërkuara. Të dyja bashkive u është kërkuar të sjellin informacion për punësimet nga 1 Janar 2020-31 Prill 2021. Për Bashkinë Tiranë Ka edhe një kërkesë tjetër për të sjellë informacion për shpërblimin për tërmetin. Këto 2 bashki nuk kanë kthyer përgjigje. Megjithate njoftimet e ribëra 3 herë, nuk kanë sjellë pranë komisionit asnjë justifikim ligjor lidhur me mundësinë apo pamundësinë ë tyre.

Toni Gogu: Mendoj që duhet të presim informacionin, se edhe shërbimet postare funksionojnë të ndryshe. Por jam i sigurt se informacioni është duke mbërritur.

Ervin Salianji: Bindja e deputetit të PS nuk duhet të na bëjë ne që të tolerojmë në lidhje me ligjin. Bashkia e Tiranës ka resurse shumë të mëdha, kështu që nuk ka qenë pengesë kjo për moskthimin e përgjigjeve. Duhet vazhduar të bëjmë kallëzim për shpërdorim detyre. Po tentojnë të trajtojnë shtetin si pronë personale.

Oerd Bylykbashi: Shpërfillja e treguar na detyron që të vendosim përpara forcës shtrënguese të ligjit bashkitë që nuk e kanë respektuar atë. Në këtë fazë askush nuk mund të mendojë se mund të nëpërkëmbë parlamentin, që ka investuar pushtetin e tij tek ky komision. Duhet të tregojmë forcën e ligjit dhe të operojmë pa vonesë.

Toni Gogu: Jeni duke humbur kohë, pasi institucionet po zbatojnë afatet. Të dyja pretendimet që ngrenë kolegët hidhen poshtë nga moria e informacionit që ka ardhur. Të kalojmë tek pika tjetër e rendit të ditës.

Enkelejd Alibeaj: Miratimi i planit të hetimit, që është pika tjetër, do të ishte i plotë, kur ne të kishim të gjithë informacionin e plotë të kërkuar. Nëse ka ardhur përgjigja nga 59 bashki, nga 12 inspektorate, nga ministritë dhe institucione të tjera, këtu ka diçka që nuk shkon. Shkresat janë dërguar prej më shumë se 3 javë përpara. Detyrimi për përgjigje është sipas afateve që vendos komisioni. Ne duhet të reagojmë, pasi sa herë vërehet një indiferencë, në rastin më të mirë, nuk ka më justifikon ligjor. Është detyrim ligjor që të reagojmë ligjërisht ndaj këtij qëndrimi. Në përfundim të kësaj mbledhje do të depozitohet kallëzimi penal për shpërdorim detyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb