TIRANE

Ballë për ballë… Asnjëherë nuk është e lehtë përballja, aq më tepër në këtë kohë të tjetërsojshme, ku ndihemi si të përhumbur, të dyzuar, të frikësuar. Në këtë kohë virusesh, ku në lojë janë jetët e miliona njerëzve në të gjithë botën. Përballë kam një artist që ka lënë gjurmë të thella në kinematografi dhe që do jetojë gjatë në kujtesën e shqiptarëve. Në të gjithë portretin, unë do veçoja sytë, më saktë vështrimin e tij që tregon atë njeriun e thjeshtë, të mençur e fitimtar në betejat e jetës. Bëhet fjalë për mjeshtrin e madh, Mevlan Shanaj. Në fakt te aktori dhe regjisori i mirënjohur më çuan “Rrugicat që kërkojnë diell”. Imagjinojeni për një çast një artist të mbyllur në kafaz nga një gjë e padukshme, kur liria është kryefjala e qenies së tij. Por ndodh që liria të “humb” shtigjeve për një arsye të vetme ose një mijë e një arsye. Ashtu siç ndodh që artisti të gërmoj, të gjej lirinë brenda vetes së tij, në ato gjërat e vogla në dukje të parëndësishme, për të shtruar udhën e së nesërmes.

Dhe aktori shumë i dashur për shqiptarët e gjen dhe shijon diellin “rrugicave” të tij, dhe pse kohë koronavirusi. Kafe, libra, poezi, muzikë, filma, meditim ëndrra dhe shprese,ky është rituali i përditshëm i Shanajt në këtë kohë ngujimi. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai ndan shqetësimin e tij për bluzat e bardha, të cilët janë në frontin e parë të luftës me koronavirusin. Kjo dhe për faktin se mjekësia ishte fillimi i jetës së tij, pasi ka punuar në spital. “Një shtrëngim dore shndërrohet në një mesazh jete. Një dorë e shtrirë bëhet simboli i bukurisë mbi çdo bukuri. Dashuria për jetën, mbetet dashuria që sfidon çdo gjë. Çdo njëri nga këta shërbenjës të shpëtimit të jetës ka një familje nga pas. Të mbrosh jetët duke riskuar jetën, është mision i madh që kërkon mbështetje”, është mesazhi i regjisorit, Mevlan Shanaj.
INTERVISTA
Si po e përjeton aktori dhe regjisori i mirënjohur këtë situatë të pazakontë?
Ngujimi nga koronavirusi tashmë nuk duhet diskutuar si një zgjidhje e papritur, pasi pas një muaji duket si diçka e pranueshme dhe krejtësisht logjike. Shembujt botëror kanë bërë efektin e duhur, se mbrojtja sociale është detyrim jete. Të mbrosh jetën tënde dhe të të tjerëve është mision krejtësisht i mundur aq me tepër tashmë edhe ligjor. Njeriu aq sa është i organizuar për të menaxhuar vetëveten, familjen me instiktin e jetës apo prosperitetit, historikisht ka dashur të dëshmoje vulën e ekzistencës jo vetëm në kultivim të të mirave, por edhe të mbrojtjes së tyre.
Në këtë moment më përshfaqen para syve “Rrugicat që kërkonin diell”, sa i mungon “dielli” aktorit Shanaj?
Lidhur me pyetjen e përqasjes së kohës së vrapimit te “Rrugicat që kërkonin diell”, të duket si diçka jo vetëm e largët, por si një kohë e xhirimeve disi përrallore, kur krahasohesh me ngujimin ndaj një gjëje të padukshme, por të frikshme si gogoli pa formën e dukur, veçse me tmerrin e së panjohurës. Në këto ditë, jeta organizohet sipas rrethanave, së pari furnizimi dhe qetësia. Dhe kjo varet nga natyrat e njeriut apo nga profesionet. Bashkëshortes time, shkrimtaren Natasha Lako, nuk i ka dhënë ndonjë stres, pasi ulet për të punuar më shumë.
Mund të na përshkruah një ditë tënden në “qelinë” ku na ka mbyllur virusi që po merr mijëra jetë njerëzish në të gjithë botën?
Mundësitë e kombinimeve për mua në kohë me diell, janë më të lehta. Po thuaj ditët duken si copy paste, kafe, muzikë, libër, tv dhe telefon. Falë opsioneve për kontakte me aplikacionet elektronike mund të kem bërë biseda telefonike me shumë se 10 vjetët e fundit së bashku. Duke pasur telefonin në dorë, kam filluar të lexoj poezi jo vetëm të Natashës, por edhe të disa poetëve të tjerë. Më duket sikur po krijoj një hapsirë të një shtese të profesionit tim. Alternimi i filmave, videove, muzikës klasike deri në orët e vona të gjumit, ndonjëherë edhe me ndihmen e ndonjë hapje të zakonshme.
Si mund ta përkufizoni këtë lloj gjendje të paimagjinuar më parë?
Unë mund të them se gjithë këtë gjendje të imponuar po e quaj si një proces përvoje të vullnetit dhe të triumfit të njeriut. Përgjatë një muaji kemi përjetuar ankth e frikë dhe të gjithë kemi drejtuar sytë te bluzat e bardha, të cilët janë në frontin e parë të luftës kundër koronavisusit.
Çfarë ndjeni, kur shikoni orë pas ore e ditë pas dite atë “kordonin bardhë” njerëzor në luftë me vdekjen?
Kujtoj bluzat e bardha këto ditë, pasi mjekësia ishte fillimi i jetës sime. Kam punuar në spital dhe sot ndjek me shqetësim, çdo përballje direkte të tyre, sa emocion të jep një e shtrënguar dore nga një punonjës mjekësie. Një shtrëngim dore shndërrohet në një mesazh jete. Një dorë e shtrirë bëhet simboli i bukurisë mbi çdo bukuri. Dashuria për jetën mbetet dashuria që sfidon çdo gjë. Çdo njeri nga këta shërbenjës të shpëtimit të jetës ka një familje nga pas. Të mbrosh jetët duke riskuar jetën është mision i madh që kërkon mbështetje. Çdo njëri nga ne e ka këtë mundësi, ta lehtësojmë jetën për ta izoluar virusin që kërkon koka njerëzish.G,Sh.al

58462905 10216655192485224 3854132119026532352 N (1)
58462905 10216655192485224 3854132119026532352 N (1)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: