TIRANE– Regjistrimi i fëmijëve në kopshte dhe çerdhe në kryeqytet do të bëhet në data 12-16 qershor nga ora 09:00 deri në orën 14:00. Drejtoresha e çerdheve në Tiranë, Zhaneta Beqiri tha për “News24”, se gjatë ditës së djeshme fluksi i aplikimeve ka qenë i madh.

Beqiri ka shtuar se jo të gjithë fëmijët aplikues do të regjistrohen brenda këtij afati, pasi një pjesë e tyre do të regjistrohen në muajt në vazhdim.

Drejtoresha e çerdheve në Tiranë sqaroi se fëmijët e prindërve me ndihmë ekonomike kanë prioritet. Ajo shtoi se kushtet në kopshte e çerdhe në kryeqytet janë përmirësuar ndjeshëm, ndërsa tha se cilësia e shërbimit do të jetë e njëjtë brenda standardeve.

“Nga kjo e hënë deri të premten nga ora 9-14 në të gjitha çerdhet bëhen regjistrimet e reja për këtë vit. Përsa i përket fluksit, falë besimit që kanë qytetarët në mirërritjen e tyre, fluksi ka qenë i madh që dje. Në përzgjedhjen e fëmijëve do përdoren disa kritere. Shërbimi është cilësor dhe i garantuar. Ne nuk marrim përsipër që të gjithë fëmijët aplikues do regjistrohen që në ditët e para të korrikut, por do të jenë në vëmendje gjatë gjithë vitit. Prioritet në përzgjedhje do kenë fëmijët e prindërve me ndihmë ekonomike, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët e nënave të veja, si dhe fëmijët e prindërve të punësuar”, tha Zhaneta Beqiri.

Drejtoresha e çerdheve në Tiranë tha se për vitin 2017 kanë frekuentuar çerdhet 2700 fëmijë.

“Në gusht 2015 çerdhet frekuentoheshin mesatarisht nga 1800 fëmije në ditë, falë rikonstruksioneve dhe ambicies tonë për përmirësimin e shërbimit sot kemi 2700 fëmijë në ditë. Në shtator shtohet çerdhja dhe kopshti i ri në njësinë 4, por nuk është zgjidhje për fluksin e madh që kemi. Gjatë gjithë verës kopshtet dhe çerdhet do të jenë të hapura dhe cilësia e shërbimit do të jetë e njëjtë konform standardeve me cilësinë e të gjitha ditëve të tjera të vitit. Ne kemi studim ku në zonat ku dendësia e banorëve është e madhe dhe këtë edhe investime të reja. Kemi ide për të marrë ndërtesa me qira për të plotësuar nevojat. Kërkesat kanë ardhur në rritje falë rritjes së besimit të publikut”, u shpreh ajo.

Zhaneta Beqiri ka sqaruar edhe dokumentacionin që duhet të kenë me vetë prindërit në momentin e regjistrimit: certifikatën e fëmijës me foto, certifikatë familjare, vërtetim banimi, dhe vërtetim për ata që janë të punësuar.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb