Kjo e mërkurë, datë 24 shkurt, shënon afatin e fundit ligjor për regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të koalicioneve zgjedhore.
Nëse Partia Socialiste ka bërë të qartë, përmes zërit të kryetarit të saj Edi Rama se nuk do të ketë asnjë aleancë politike për zgjedhjet e 25 prillit, vëmendja më e madhe shkon në kampin opozitar, ku negociatat janë ende në zhvillim.

Mësohet se PD është dakordësuar me të gjithë aleatët për koalicionin zgjedhor, për të qenë në një listë. Në këto pak orë të mbetura i duhet kryedemokratit Lulzim Basha të mbyllë negociatat me republikanin Fatmir Mediu, pasi ende nuk kanë dakordësi, për numrin e kandidat ë ve për deputetë të PR-së, që do të jenë në listën e Partisë Demokratike. LSI mësohet se do të dalë me një listë të saj, por në ato qarqe ku nuk mund të prodhojë një mandat deputeti, do të mbështesë listën “Basha”.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, saktësojnë procesin e regjistrimit të koalicioneve zgjedhore në KQZ. Neni 65 i ligjit elektoral, sanksionon se dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, mund të regjistrohen si koalicion zgjedhor në shkallë vendi, jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Ndërkohë që një subjekt politik pjesë e një koalicioni, nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë kandidatë apo listë shumë emërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë.

“Në momentin e regjistrimit, koalicioni duhet të deklarojë partinë politike udhëheqëse të tij. Marrëdhëniet midis partive pjesëtare të koalicionit dhe detyrimet reciproke midis tyre rregullohen në marrëveshjen, e cila është pjesë e dokumentacionit që depozitohet në KQZ”, saktëson Kodi Zgjedhor.
Por ligji rregullon edhe marrëdhënien e partive pjesë e një koalicioni, sa i takon listës së kandidatëve për deputetë. Neni 67 i Kodit shprehet se lista e partive apo koalicioni, depozitohet në jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Kandidatët për deputetë mund të regjistrohen vetëm në një prej 12 qarqeve të vendit. Përjashtim nga rregulli bën vetëm kryetari i partisë apo i partisë udhëheqëse të koalicionit, të cilit ligji i lejon të kandidojë deri në 4 qarqe njëherësh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb