Nga: Ermelinda Hoxhaj*

TIRANE- Regjistrimi i fëmijëve në çerdhet publike të kryeqytetit do të nisë në datën 27 qershor. Drejtoresha e Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve (QEZHEF) në Bashkinë e Tiranës, Zhaneta Beqiri, e cila menaxhon të gjitha çerdhet në kryeqytet, ka deklaruar se prindërit do të kenë një javë kohë për të bërë regjistrimin e fëmijëve të tyre. Kështu, prindërit me fëmijë të vegjël nga 6 muaj deri në 3 vjeç duhet të dorëzojnë dokumentet e duhura në çerdhen më afër njësisë vendore ku ata banojnë. Të hënën e kësaj jave, në datën 20 qershor, pranë çdo çerdheje do të publikohet afati i regjistrimit si dhe procedurat që duhet të ndiqen. Për regjistrimet prindërit duhet të paguajnë 5.000 lekë të reja si fond garancie, të cilat i marrin në fund pasi mbyll çerdhen. Ndërsa pagesa është në varësi të ditëve që fëmijët shkojnë në çerdhe apo në kopsht gjatë një muaji. Tarifa e ditëgrënieve për fëmijët e çerdheve është 130 lekë/ditë, ndërsa për ata të kopshtit është 160 lekë/ditë.

Regjistrimi
Sipas Beqirit, prindërve duke nisur nga java që vjen do iu informohet data e nisjes së regjistrimit si dhe procedurat që duhet të ndjekin, ndërkohë që regjistrimi nis në datën 27 qershor. “Këtë të hënë, datë 20 qershor, do të afishohen pranë çdo çerdheje afatet e regjistrimit si dhe dokumentacioni që duhet. Prindërit do të kenë një javë kohë që të njihen me procedurat dhe një javë kohë të bëjnë regjistrimin e fëmijës pranë çerdhes që i takon. Regjistrimi do të fillojë në datën 27 qershor dhe do të zgjasë një javë”, – tha për “GSH” Beqiri. Gjithçka që duhet të bëjnë prindërit është dorëzimi i disa dokumenteve të fëmijës marrë nga njësia vendore që ka në juridiksion çerdhen, si dhe plotësimi i një formulari pranë çerdhes përkatëse. Duke qenë se kapacitetet e çerdheve publike nuk mbulojnë të gjitha kërkesat e qytetarëve në regjistrimin e fëmijëve, do të ndiqet rendi sipas kërkesave të bëra. Ndaj prindërit duhet të shkojnë pranë çerdheve publike, të njësive vendore përkatëse, të bëjnë plotësimin e formularëve të aplikimit për regjistrim të fëmijëve në çerdhet e Bashkisë Tiranë, pasi regjistrimi përfundimtar bëhet sipas rendit të kërkesave të bëra, kapaciteteve akomoduese dhe planit të pranimeve. Dokumentet e domosdoshme për aplikim janë: certifikata e fëmijës lëshuar nga njësia bashkiake që ka çerdhen në juridiksion, certifikatë familjare, vërtetim pune nga prindërit dhe vërtetim banimi. QEZHEF është institucioni që menaxhon dhe ofron shërbimet në çerdhe dhe në kopshte. Këto të fundit, edhe pse kanë kaluar në varësi të pushtetit vendor, ende një pjesë të procedurave, si është regjistrimi, vijojnë të bëhen me urdhër të Drejtorisë Arsimore të Tiranës. Po ashtu si për çerdhet, edhe për kopshtet janë të njëjtat procedura.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: