Derbi mes Milanit dhe Interit, që do të luhet të dielën në mbrëmje, do të shkërrmoqë çdo rekord arkëtimesh për Serie A me mbi 5.7 milionë euro. Derbi numër 223 po i afrohet shitjes totale të biletave, pasi kanë mbetur vetëm 1000 të tilla në sektorin mik.

5 shkurti ka qenë dita me më shumë bileta të shitura, plot 10.655 të tilla. Do të jenë mbi 4 mijë tifozë joitalianë dhe 590 “Milan Club”-e në stadium, ndërsa më i largëti vjen nga Bahreini. Derbi do të transmetohet në 200 vende të botës. Tribuna për shtyp është super e ngjeshur me 600 persona të akredituar.

Portat e “San Siros” do të hapen në 18:30 ndërsa parkingu është shitur i gjithi, ndaj Milani u ka bërë thirrje tifozëve të vijnë në kohë në stadium që të evitojnë radhët e gjata. Kuqezinjtë kanë menduar dhe për spektaklin. Do të këndojë raperi Ghali, ndërsa në pushim Abiati, Ambrozini, Kafu, Dida, Inzaghi, Nesta dhe Odo, të shoqëruar nga presidenti Skaroni dhe administratori Gazidis, do të prezantojnë fanelat ku formacioni i yjeve të së shkuarës i Milanit do të ndeshet me ata të Liverpulit më 23 mars në “Anfield Road”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: