Gjermania është duke u përballur me infektime të shumta nga COVID-i. Ditët e fundit atje janë regjistruar më shumë se 50 mijë raste nga virusi, duke shënuar një rekord që prej fillimit të pandemisë.

Sipas Institutit të Mbikëqyrjes Shëndetësore Robert Koch, ka pasur 50.196 raste shtesë me COVID-19 në 24 orët e fundit dhe 235 vdekje.
Kancelarja në largim Angela Merkel e quajti shtimin e infeksioneve në vend dramatike.

“Pandemia po përhapet sërish në mënyrë dramatike”, tha zëdhënësi i saj, duke u bërë thirrje autoriteteve shëndetësore rajonale të marrin masa të mëtejshme për të përmirësuar situatën.

Përhapja sipas ekspertëve, ka të bëjë edhe me faktin se ka një skepticizëm të qytetarëve sa i përket vaksinimit. Nga e hëna, në Berlin, do të ndalohen personat e pa vaksinuar që të frekuentojnë baret, palestrat dhe parukeritë.

Një test negativ nuk do të lejojë më akses në këto vende publike nëse përdoruesit nuk janë të vaksinuar ose nuk mund të provojnë se janë shëruar nga sëmundja.

Në total, pothuajse 4.9 milionë njerëz janë infektuar në Gjermani që nga fillimi i pandemisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb