BRUKSEL

Konferenca e Donatorëve ka mbledhur një shumë marramendëse për procesin e rindërtimit në Shqipëri, duke kaluar të gjitha pritshmëritë.

Kështu, janë mbledhur në Bruksel plot 1.15 miliardë euro, duke thyer një rekord, pasi dëmet e tërmetit katastrofik të 26 nëntorit të 2019 arrinin në rreth 1 miliard euro.

“Kemi dëshmuar kurajë dhe solidaritet të jashtëzakonshmë. Kemi arritur të mbledhim 1.15 mld euro. Ky është një mesazh për të treguar se sa shumë e kemi përzemër Shqipërinë. Duhet të nisë ndërtimi në terren dhe ne jemi aty për ju”, tha komisioneri për zgjerimin.

Vendet që dhuruan më shumë për Shqipërinë ishin Franca, e cila befasoi duke dhuruar 100 milionë euro grante për projekte, si dhe 60 mijë euro hua për rindërtimin e sistemit ujor; BE dhe KE me 115 milionë euro, Italia me një shifër prej 65 milionë euro, Zvicra me 9 milionë euro, Emiratet e Bashkuara Arabe me 70 milionë euro për ndërtimin e 2 mijë banesave, Turqia me 46 milionë euro për ndërtimin e 500 shtëpive dhe xhamive, Gjermania me 11 milionë euro, e shumë vende të tjera.

Po ashtu, shuma të mëdha, në formë huaje, kanë dhënë edhe:

Grupi i Bankës Islamike – 365 milionë euro hua në 5 vitet e ardhshme – Sot, 50 milionë euro hua për rikuperimin e biznesit.
Banka Botërore – 160 milionë euro hua (85 milionë euro për rindërtimin, 6 milionë euro për spitalet, 6 milionë nga BERZH për pajisje dhe spitalet e prekura nga tërmeti)
Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim – 100 milionë euro hua, 500 mijë euro grante
Banka Europiane e Investimeve – 2.5 milionë euro grante për përtëritje ekonomike, dhe 100 milion euro disponibilitet për hua (për rindërtimin, për rimëkëmbjen e bizneseve dhe projekte strehimi)
BERZH (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim) ofron 18 milionë euro hua për sistemet e ujësjellës kanalizimeve, në zonat ku dëmet janë më të mëdha

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb