TIRANE– Deputeti i PS-së Gjetan Gjetani ka folur pas akuzave të PD-së dhe denoncimit në Prokurorinë e Përgjithshme se ai është me rekorde kriminale në Itali. Në një lidhje telefonike për News24 e “BalkanWeb” Gjetani i quan shpifje akuzat e PD-së dhe thotë se nuk ka qenë asnjëherë në Itali dhe as në ndonjë vend të Europës, përveç se në Mal të Zi në muajin prill të këtij viti për disa orë. Ai tha se nuk do ta kallëzojë PD-në por se do reagojë publikisht.

Të gjitha këto akuza që vijnë nga opozita si i komentoni?
Ju falënderoj për telefonatën. PD nuk e di se ku bazohet. Ka bërë një kërkesë për të më ndërprerë mandatin me pretendimin se jam i dënuar në Itali. Unë e bëj publike se nuk kam qenë asnjëherë në Itali, as në Greqi dhe në asnjë vend të Evropës. Kam qenë vetëm në Mal të Zi për disa orë në prill. Nëse un kam shkelur në shtetin italian, unë mbaj përgjegjësi dhe dorëzoj mandatin menjëherë. Nuk e di se ku bazohet PD-ja se jam dënuar në Itali. Është shumë e lehtë të verifikohet nëse kam qenë në shtetin italian.

Pra ju thoni se akuzat nuk janë të vërteta?
Unë kam punuar dhe punonjës policie. Unë jam i hapur të bashkëpunoj me Prokurorinë. Për mua është një shpifje e pastër. S’kam qenë kurrë në Itali.

Si do veproni?
Nuk do bëj kallëzim penal për shpifje. Të merret prokuroria. Unë s’do bëj gjë tjetër veçse këtë reagim publik.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb