NGA ORNELA MANJANI*

TIRANE- Arrin në shifër rekord numri i bizneseve që nuk paguajnë detyrimet fiskale. Deri tani, numri i sipërmarrjeve që janë debitore ndaj administratës tatimore është 16037 biznese. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Për-gjithshme e Tatimeve, mësohet se numri i bizneseve që nuk arrijnë të paguajnë taksat po rritet me ritme të shpejta. Krahasuar me një vit më parë, shifra është rritur me gati 3.5 herë. Por tendenca ka vazhduar edhe gjatë këtij viti.

Sipas Tatimeve, vetëm për 5 muajt e parë të vitit, listës së bizneseve në borxh iu shtuan dhe gati 3 mijë ndërmarrje të tjera. Këto janë biznese ndaj të cilave administrata ka kryer të gjitha hapat ligjorë për mbledhjen e detyrimeve, që nga njoftimi i vlerësimit tatimor deri te bllokimi i llogarive bankare. Ndërkohë që, lista e debitorëve të këqij në Tatime është shtuar me rreth 2.068 biznese në periudhën janar-prill 2015.

Sipas shifrave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, lista e bizneseve ndaj të cilave ka nisur grumbullimi i detyrimeve me forcë ka arritur në 15.161, në 22 prill të këtij viti, nga 13.095 që ishin në fund të vitit 2014. Rritja me 15% e subjekteve të përfshira në listën e zezë të tatimorëve është një tregues i likuiditeteve të përkeqësuara, për shkak se bizneset nuk kanë arritur të shlyejnë në kohë detyrimet e papaguara tatimore.

Lista e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve administrata tatimore, në zbatim të nenit 91 të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për Procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, tregon se, ndaj këtyre bizneseve janë marrë masat e sigurimit mbi të gjitha pasuritë për ekze-kutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.

Tatimorët e publikojnë listën e zezë në mënyrë që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilat kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, ta regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e tyre deri kur detyrimi tatimor të jetë paguar.
Legjislacioni
Në nenin 91 të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008, “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, parashikohet masa e sigurimit të detyrimit tatimor. Në pikën 1 të tij saktësohet se, nëse tatimpaguesi nuk i paguan detyrimet në afatin e caktuar në ligj, detyrimi tatimor i papaguar sigurohet në favor të administratës tatimore mbi të gjithë pasurinë e tatimpaguesit, në masën e ne-vojshme, për të përmbushur detyrimin tatimor të tij. Sipas ligjit, masa e sigurimit të detyrimit tatimor të papaguar mund të jetë, sipas rastit, barrë siguruese dhe/ose barrë hipotekore.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: