Agron Sojati, koordinator kombëtar për çështjet e radikalizmit dhe ekstremizmit deklaroi mbrëmjen e sotme se rasti i vogëlushit shqiptar, Alvin Berisha që qëndroi për shumë kohë në kampin famëkeq të “Al Hol” në Siri, ishte i njohur nga qeveria që në momentin kur ai ka lëvizur në drejtim të Turqisë. I ftuar në emisionin “Real Story” në ‘News24’ Sojati tha se qeveria shqiptare prej një viti ka përpiluar planin për rimarrjen dhe riintegrimin e personave që ndodhen në Siri, por për shkak të mekanizmave, mungesës së logjistikës së duhur dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtar nuk është aq e thjeshtë sa duket.

Ai tha se per keto ceshtje duhet shume kujdes pasi flitet për terroristë, jo turistë.

“Çështja e grupit të shqiptarëve që ndodhet në Siri është një çështje jo e re, jo thjesht rasti i Alvinit. Ka një plan ndërinstitucional që daton që para një viti, por ndryshon me situatën sot, sepse me atë plan parashikonim kur individ apo grupe që ndodheshin atje, mund vullnetarisht të vinin apo të paraqiteshin në një shërbim diplomatik. Kurse situatat e fundit kanë nxjerr në pah çfarë qëndrimi duhet të mbajtën vendet. Qeveria shqiptare ka një vendim politik tashmë për gratë dhe fëmijët, do investohet për t’i marr duke marr të gjithë masat për riintegrimin e kësaj kategorie.

90% e kësaj pune nuk është e dukshme për komunitetin, sepse nuk po flasim për një grup turistik që ka humb avionin, po flasim për organizata terroriste. Për rrezikshmërinë që mbartin dhe informacioni në asnjë rast nuk është absolut, gjithmonë ka hezitime ndaj ka edhe kushte se si merret e kur ndahet ky informacion, kjo e bën të vështirë situatën. Institucionet që kryesisht merren me këtë problematik preferojnë të kenë disa kuadrate, norma, ose preferojnë të mos i bëjnë publike shumë masa. Rasti i Alvinit ka qenë i ditur që në momentin që është bërë lëvizja drejt Turqisë. Ka edhe shumë raste të tjera para dhe pas. Psh. Gjithë elementët e strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm që u miratuan nga qeveria në 2015 në nëntor, janë përcjellë në publik, por mbase është dashur intensitet më tepër. Unë i rri mbi fakte, pozicionit që ka pa fund elementë, masa, takime por edhe debate mbi zgjidhjet. Të kemi parasysh që është një çështje komplekse.”, tha Sojati.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb