NGA ERMELINDA HOXHAJ*

Shtyhet afati i aplikimit për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura deri në 1 mars. Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar edhe pushtetin lokal në fushatën e rekrutimit të të rinjve për ushtarë/detarë aktivë në Forcat e Armatosura. Ditën e djeshme, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u takuan me 24 administratorët e njësive administrative të kryeqytetit, lidhur me këtë fushatë aplikimi.

Qëllimi i takimit ishte sensibilizimi i komunitetit dhe sidomos të rinjve, që të marrin në konsideratë rekrutimin në Forcat e Armatosura. Ministrja Kodheli u kërkoi administratorëve kontakte më të ngushta me të rinjtë në komunitetin që ata administrojnë, me qëllim që në FA të vijnë më të mirët e mundshëm.

Po ashtu, ministrja deklaroi se: “Duke parë interesimin e madh dhe për t’u dhënë mundësi të gjithë të rinjve që duan t’u bashkohen Forcave të Armatosura, fushata e aplikimeve do të shtyhet deri më 1 mars të këtij viti”. Ndërkohë që, kryebashkiaku Veliaj ka theksuar se rekrutimi në FA është një mundësi e shkëlqyer punësimi për 600 të rinj të Tiranës. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit, të interesuarit kanë kriteret e përgjithshme të rekrutimit në FA. Ku kritere janë: mosha minimale e rekrutimit, e cila është 18 vjeç; gjatësia, për meshkuj mbi 1.70 cm ndërsa për femra 1.65 cm; si dhe gjendja shëndetësore.

Rekrutimi
Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes do të ndërmarrë një fushatë në të gjitha njësitë administrative për rekrutimin e 600 të rinjve në Forcat e Armatosura. Ditën e djeshme, ministrja Mimi Kodheli dhe kryebashkiaku Erion Veliaj morën pjesë në një takim të përbashkët me maturantë dhe administratorë të njësive, lidhur me fushatën e rekrutimeve për ushtarë-detarë aktivë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ministrja Kodheli foli edhe për privilegjet që një i ri gëzon pasi rekrutohet në FA.

“Dikush që pranon të bëhet pjesë e FA-ve ka mundësi të jashtëzakonshme në jetë. Studentët tanë studiojnë në akademitë më të mira dhe më të rëndësishme botërore ushtarake. Profilizohen dhe marrin specialitete nga më të rrallat, gjë që i bën ata të pazëvendësueshëm. Kanë mundësi të rriten në gradë. Kanë mundësi të trajnohen edhe mbasi shkollohen. Por kanë edhe mundësi të një shërbimi shëndetësor të një natyre të veçantë, shumë të privilegjuar. Po kështu, më të privilegjuar mund të jenë edhe për sa i përket strehimit apo trajtimit të tyre, për gjithçka që në jetën e përditshme mund të kthehet në problem kur nuk merr një zgjidhje”, – tha ajo.

Edhe kryebashkiaku Veliaj e konsideroi si një mundësi të jashtëzakonshme punësimi, shansin që u jepet të rinjve, si shtresa që vuan më shumë papunësinë. “Sot flasim për rekrutim profesionist, për një punë nga më të mirëpaguarat. Unë i shoh fazat e rekrutimit të pranverës dhe të vjeshtës, 300 tani dhe 300 në fund të vitit, si një mundësi fantastike për 600 të rinj të Tiranës. Ndaj, do të ftoja 24 administratorët që, bashkë me drejtoritë arsimore, ndërlidhësit e komunitetit, kryepleqtë në zonat e fshatit, të identifikojmë më të mirët”, – u shpreh Veliaj.

Kriteret për pranimin dhe rekrutimin e ushtarëve/detarëve aktivë

a) Për t’u rekrutuar në FA si ushtar/detar shtetasit shqiptarë duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
– Të jetë shtetas shqiptar.
– Të ketë figurë të pastër morale.
– Të mos jetë dënuar nga gjykata për vepra penale.
– Të mos jetë në ndjekje penale.
– Të mos ketë humbur të drejtën e ushtrimit të profesionit ose veprimtarisë në administratën publike me vendim gjykate.
– Të mos jetë në gjykim penal nga gjykata
– Mosha minimale e rekrutimit është 18 vjeç. Në momentin e titullimit ushtari/detari aktiv, nuk duhet të ketë mbushur moshën 27 vjeç. Përjashtim bëjnë vetëm shtetasit që do të titullohen ushtar/detar aktiv, të cilët do të jenë personel mjekësor i FA dhe në momentin e titullimit nuk duhet të kenë mbushur moshën 32 vjeç.
– Të ketë kryer arsimin parauniversitar ose të lartë brenda ose jashtë vendit.
– Të ketë kryer kontrollin shëndetësor dhe të jetë vlerësuar i aftë për ushtar/detar aktiv nga Spitali Ushtarak i Forcave të Armatosura në Komandën Mbështetëse.
– Të ketë kaluar testin, fizik, intelektual, dhe psikologjik.
– Të kenë gjatësinë trupore mbi 170 cm për meshkujt dhe mbi 165 cm për femra.
– Kandidatët për ushtar aktiv, të planifikuar për kompletimin e Policisë Ushtarake, duhet të kenë gjatësinë trupore mbi 170 cm për meshkuj dhe femrat.
b) Për rekrutimin sipas specialiteteve të veçanta, veç këtyre kritereve të aplikohen edhe kritere specifike për aftësitë profesionale dhe parametrat fizikë, të cilat të përcaktohen me një udhëzim të veçantë të SHSHP.

Procedura e aplikimit për ushtar/detar
a) Shtetasit që dëshirojnë të shërbejnë në FA si ushtarë/detarë aktivë, do të aplikojnë drejtpërdrejt në zyrën e pranimit në Qendrën e Personel Rekrutimit.
b) Aplikantët plotësojnë:
– formularin e aplikimit (shkarko formularin e aplikimit në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes)
– formularin e pranimit të dokumentacionit (shkarko formularin e pranimit) dhe marrin njoftimin për dokumentet e nevojshme, afatin e paraqitjes në Qendrën e Personel Rekrutimit për vijimin e procesit të pranimit, testimit e përzgjedhjes.
c) Procedurat, kriteret, rregullat e testimit (testimi fizik, intelektual dhe psikologjik) janë të publikuara në faqen e internetit të MM dhe FA.

Regjistrimi i kandidatëve, dokumentacioni i nevojshëm
a) Kandidatët për ushtarë/detarë aktivë, paraqesin në Qendrën e Personel Rekrutimit, dokumentet e mëposhtme:
– Kërkesë më shkrim në të cilën parashtrohet identiteti i aplikantit, statusi familjar(martuar, beqar), arsyet për të cilat dëshiron të bëhet ushtar/detar aktiv, njësia apo reparti dhe specialiteti në të cilën do të dëshironte për të shërbyer. Aftësitë, përvoja në punë, prirjet e tij në fusha të caktuara, sipas modelit bashkëlidhur këtij udhëzimi (formulari i aplikimit)
– Fotokopjen e kartës së identitetit
– Certifikatë familjare
– Dy fotografi të përmasave 4 x 6 cm dhe dy fotografi të përmasave 9 x 12 cm
– Fotokopje të diplomës së arsimit parauniversitar ose të arsimit të lartë të noterizuar dhe të vërtetuar nga drejtoria Arsimore Rajonale/Rrethit
– Diplomë, dëshmi, certifikatë për aftësi profesionale (nëse ka), të noterizuar.
– Dëshmi penaliteti.
– Vërtetim nga prokuroria.
– Vërtetim nga gjykata.
– Fletë të ekzaminimit mjekësor nga Spitali Ushtarak i Forcave të Armatosura në Komandën Mbështetëse.
b) Të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga ligji, kanë dokumentacionin konform kërkesave dhe janë vlerësuar të aftë nga ana shëndetësore, regjistrohen në QPR sipas rregullave të përcaktuara dhe marrin njoftim mbi pranimin si kandidat.
c) Qendra e Personel Rekrutimit, vijon procedurat e testimit dhe përzgjedhjes me kandidatët, të cilët janë gjykuar të aftë nga ana shëndetësore.
Venddislokimi i Qendrës së Personel Rekrutimit, Tiranë:
Adresa: Rruga e Dibrës, Tiranë (në ambientet e garnizonit “Skënderbej”)

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb