Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, publikon video-mesazhin e Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, prof. Arben Gjata, lidhur me situatën e koronavirusit.

Gjata iu bën thirrje qytetarëve që të vijojnë të zbatojnë masat e distancimit social dhe higjienës personale, edhe gjatë kësaj periudhe të hapjes.

Sipas tij, jemi në fund të periudhës shumë të vështirë të pandemisë, por këto dy masa duhen zbatuar edhe në vijim, derisa të kemi masa të sigurta që luftojnë virusin.

“Jemi në fundin e periudhës shumë të vështirë që kaluam të gjithë së bashku të kësaj epidemie shumë të rëndësishme. Janë duke u marrë masa të hapjes së ekonomisë, jetës sociale, të mënyrës si punojmë, si jetojmë. Jemi drejt një finishi, ku të gjithë kemi dhënë kontribut. Falënderimi I parë është për mjekët në vijën e parë, por pa ju, pa bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj, do të ishte e pamundur t’ia dilnim kësaj situate.

Do të kërkoja nga ju që të vazhdojmë të jemi të ndërgjegjshëm, që janë vetëm masat e distancimit fizik, ruajtja e distancës, e higjienës personale, që janë të domosdoshme t’i vazhdojmë edhe në këtë periudhë hapjeje, në mënyrë që të mos kemi kthim pas.

Është mënyra e vetme dhe e domosdoshme, që ne të përshtatemi me realitetin e ri, me mënyrat e reja të jetesës, deri në fund të epidemisë, dhe kur të kemi masa të sigurta që të luftojmë siç duhet këtë virus. Ju bëj thirrje të gjithëve të na e lehtësoni punën në të ardhmen, siç keni bërë deri tani, duke respektuar rregullat e distancimit dhe higjienës”, shprehet Gjata.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb