Rektori i ri i Akademisë së Studimeve Albanologjike është emëruar Luan Përzhita, arkeolog dhe ish-drejtor i Institutit të Arkeologjisë, që u shpall fitues në zgjedhjet e mbajtura në muajin korrik. Këtë të martë, ish rektori Marenglen Verli i dorëzoi detyrën Përzhitës në një takim të mbajtur me drejtuesit e instituteve.

‘’Bëra çmos ato që munda të bëja, ato që diuja të bëja, si për përmirësimin e kushteve të punës dhe për të hyrë brenda ligjit dhe për të kapur një godinë të re. Kishte që ishin jashtë mundësive të çdo lloji tonat natyrisht që nuk u bënë.’’- tha Verli.

 Ndërsa Verli i uroi suksese pasardhësit pasi foli për 200 botime në vit, Përzhita, kërkoi bashkëpunim me universitetet e huaja që merren me albanologjinë, bashkëpunim mes instituteve, dhe digjitalizim te arkivave e fototekave. Më tej ai kritikoi hapur tekstet shkollore.

‘’Është problemi që puna jonë të reflektojë në tekstet shkollore, të reflektojë në shkollat e mesme e shkollat e larta. Ne duhet të jemi të pranishëm dhe duhet ta kërkoj me forcë, certifikimin e teksteve shkollore në fushën e albanologjisë. Ne nuk mund të pranojmë tekste shkollore të cilat ju serviren, studentëve të ndryshëm e nxënësve të ndryshëm, që janë  në një nivel që lë shumë për të dëshiruar, ndërkohë kur institute të veçanta të specializuara, kanë specialistë profesorë të dëgjuar, të cilët mund të bëjnë një punë të dobishme.’’- tha Përzhita.

Shqetësimi i Përzhitës është shqetësim i kahershëm, ndërsa puna kërkimore e profesorëve të disa instituteve, qarkullon vetëm mes akademikëve, duke mos u reflektuar në tekstet për brezin e ri.        

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb