Odiseja me organet e drejtësisë të ish-ministrit Saimir Tahiri ka pësuar një “stop”, por mesa duket jo një hap përfundimtar.

Këtë të premte Apeli i GJKKO ka vendosur 5 vite burg ndaj ish- ministrit të Brendshëm, e konvertuar në 3 vite e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, vendim për të cilin do të kërkohet rekurs në Gjykatën e Lartë. Kështu të paktën deklaruan avokatët mbrojtës të Tahirit.

Kalvari i gjatë me drejtësinë për ish-ministrin ka nisur në 2017, vit në të cilin u rizgjodh deputet në Qarkun e Tiranës. Një vit më vonë, pas akuzave si i përfshirë në trafikimin e drogës nga grupi i Habilajve, ai u detyrua të japë dorëheqjen, e të zgjedhë që të përballet me drejtësinë. Ai dha dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe menjëherë më pas prokuroria kërkoi arrestimin e tij.

Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim. Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.

Ishte shtatori i vitit 2019, kur Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi akuzën e prokurorisë për përfshirjen e Tahirit në trafik droge. Mirëpo, kjo gjykatë e dënoi ish-ministrin me 5 vite burg për shpërdorim detyre, dënim që iu konvertua në 3 vite e 4 muaj. Ky vendim u apelua sërish nga Tahiri në Gjykatën e Apelit, e cila e konvertoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në 3 vite shërbim prove, si dhe duke i hequr të drejtën për 5 vite të ushtrojë funksione publike.

Pas 2 vitesh në gjendje qetësie, në janar të 2021, SPAK riktheu sërish në vëmendje këtë çështje, duke kërkuar dënim me 12 vite burg për Tahirin dhe Jaeld Çelën, ish-drejtuesin e policisë në Vlorë. Ndërsa sot, 4 shkurt 2022, Apeli i GJKKO pas një seance maratonë vendosi 3.4 vite burg për ish-ministrin, e po kaq vite për ish-drejtuesin e policisë në Vlorë Jaeld Çela. Ish-ministri e priti këtë vendim i buzëqeshur, ndërsa në një reagim në rrjete sociale u shpreh se është bërë padrejtësi.

“Ju dua shume te gjitheve! Me vjen keq qe shkoi keshtu. Jam moralisht i qete, nuk kam shkelur kurre ligjin, kam dashuruar cdo dite te punes sime, jam i lumtur qe kam bere detyren sic me mire munda.
Eshte thjeshte PADREJTESI!”,
u shpreh Tahiri.

Në rezymenë përfundimtare të trupës gjykuese, të kryesuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi, tha se bie poshtë pretendimi se ish-ministri Tahiri është i përfshirë në trafikimin e drogës, mirëpo, verifikohet se ai ka pranuar dhurata nga grupi i Habilajve dhe duke përdorur funksionin e tij si një nga drejtuesit e një prej dikastereve më të rëndësishme të vendit, ka shpërdorur detyrën dhe ka shkelur ligjin.

Ja argumentimi i trupës gjykuese për vendimin e dhënë ndaj Tahirit:

1.Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 04.02.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shpall vendimi për çështjen me nr. 47 regjistri themeltar, datë 24.11.2021 regjistrimi, në ngarkim të të pandehurve S.T. dhe J.Ç, ku kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi, lënien në fuqi të Vendimit nr. 60, datë 19.09.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me ndryshimin si më poshtë:

-Moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal për të pandehurin z. S.T.

-Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin z. S.T. fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb