Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji shprehet përmes një reagimi në rrjetet sociale se Gjykata e Lartë ka ndryshuar relatorin e çështjes së rekursit të tij. Fillimisht u shortua relator gjyqtarja Albana Boksi, por më pas është rihedhur shorti dhe është caktuar Sokol Binaj. Shorti për rekursin e ish-deputetit demokrat është hedhur në datën 8 janar.
Salianji shprehet se shorti është manipuluar me qëllim shtyrjen e procesit në kohë, siç thekson, për ta mbajtur larg fushatës dhe zgjedhjeve të 11 majit.
Reagimi
Drejtësia armë e Ramës për të vrarë kundërshtarët! Super skandali në Gjykatën e Lartë, manipulohet shorti! Pasi shpalli vendimet që ai dëshironte në dy shkallët e Gjyqësorit, për krimin e agjitacion e propogandë dhe se e mundja qeverinë në çdo përballje, Edi Rama ka marrë masa që të bëjë të njëjtën gjë me Gjykatën e Lartë.
Në fillim më burgosën pa ligj, vetëm për publikimin e një investimi gazetaresk, për një denoncim publik të vërtetuar brenda ditës nga vetë Agron Xhafaj, i dënuar me 7.4 vjet burg në Itali pas një operacioni të DEA-s, i cili u detyruar të shkonte në qeli sic urdhëronte drejtësia italiane. Më pas u kapën duke paguar dëshmitarë të rremë. Dshmitari u kap me video duke pranuar qē kishte marrë para nga Xhafaj dhe vartësit e tij. U kapën dhe drejtuesit e policisë së shtetit në përgjime zyrtare të prokurorisë duke paguar me para dhe instruktuar dëshmitarin e rremë. Më tej, manipuluan duke futur në gjykatē, (akte dhe vendime që askush nuk i dinte se si ishin futur në dosje). Vonuan zbardhjen e vendimit për të penguar rekursin në Gjykatë të Lartë. Më burgosën duke pasur mandat dhe asnjë institucion nuk konstatoi humbjen e mandatit në momentin që isha në burg. Tani, vazhdojnë me shpifësinë e padrejtësisë, duke nxjerrë dy trupa e dy relatorë të ndryshëm për rastin tim, as më pak e as më shumë por në Gjykatën e Lartë!
Është e qartë. Ky nuk është proçes, por pengmarrje. Jam i marrë peng nga një organizatë kriminale që interes ka të më mbajë larg zgjedhjeve dhe aktivitetit publik, pasi kam faktuar me qindra herë korrupsionin dhe lidhjet e qeverisë me krimin ashtu siç dhe i kam mundur në çdo përballje zgjedhore!
Qëllimi nuk fshihet më. Duhet të mbahem në burg, të mos lejohem të merrem me politikë, të bëj fushatë, të kandidoj! Ndryshimi apo manipulumi i shortit bëhet për të vonuar shqyrtimin dhe vendimmarrjen dhe po ashtu për të mbajtur nën presion gjyqtarët duke krijuar dy trupa. Një trupë që do të shqyrtojë çështjen, dhe një si siguresë për nevojën e qeverisë!
Kjo është autokracia në veprim, ky është pushteti i sunduesit. Ky është regjimi! Kushdo do mbajë përgjegjësi, dita po vjen!
(BalkanWeb)