Në ditën e 7 të grevës të grave që punojnë në Rafinerinë e naftës në Ballsh, gjendja e tyre shëndetësore sa vjen e rëndohet.

Gazetari Ervis Kuçi që ka qenë edhe këtë mëngjes pranë tyre thotë se gratë e kanë pasur të vështirë natën. Ato kanë shfaqur kollë, lodhje fizike, luhatje tensioni dhe probleme me zemrën.

Por pavarësisht kësaj, thonë se do rezistojnë deri në fund. Pas grave deputete e diplomateve, apeli i tyre i sotëm shkon për kryeministrin Edi Rama. Kujtojmë se dy ditë më parë Rama tha se ishte i gatshëm të ulej e bisedonte me to, por deri tani s’ka asnjë shenjë për ndonjë bisedim të mundshëm.

“Nuk dorëzohemi asnjëherë sa të bëjmë atë kauzën tonë sa të marrim rrogat dhe të kthehemi në punë. Jemi shumë të lodhura, kemi pasur nevojë edhe për ndihmën e mjekëve, i kemi marrë në telefon”,- tha njëra prej grave.

“E rënduar dhe në siklet të madh ndjehem, por e kam thënë dhe do ta them se do qëndroj deri në fund sa të marrim rrogat. Unë do bëj sakrificë deri në fund. Deri tani asnjë gjë, i lutemi kryeministrit t’i japë zgjidhje sa më parë”,- apeloi një tjetër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb