FIER- Reshjet e dy ditëve të fundit kanë rënduar situatën në fshatin Darzezë të Fierit, ku janë shfaqur probleme me argjinaturën e lumit. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka e shoqëruar nga kreu i bashkisë Fier ka qenë gjatë orëve të natës në Darëzezë për të monitoruar situatën si pasojë e përmbytjeve. Ministrja u shpreh se situata është kritike, por nën kontroll , pasi janë marrë të gjitha masat.

“Janë marrë masat për të parandaluar dhe evakuuar banorët që janë të rrezikuar, veçanërisht 400 familjet që rrezikohen në rast të daljes jashtë funksionit të hidrovorit. Situata është kritike, por nën kontroll. FA dhe pushteti vendor kanë marrë të gjitha masat për funksionimin e plotë të hidrovorit dhe sigurinë e jetës së 400 familjeve te Darzezes”- tha ministrja Olta Xhacka, e cila do qëndrojë në Darzezë deri në përmirësimin e situatës.
2e053b84-a97b-4860-889d-5b576fb255cb
Ndërkohë edhe kreu i bashkisë Fier, Armando Subashi tha se pushteti vendor ka marrë masat për të mos pasur probleme.

“Situata është në nivele kritike, por është në kontroll. Të gjithë jemi në këmbë me forcat e armatosura, me bashkinë dhe besoj se situatën do ta kalojmë me sukses. Ujërat janë në nivele të konsiderueshme, por besoj se nuk do kemi probleme me masat që janë marrë”- tha Subashi.
Në Darzezë ndodhen rreth 40 efektivë të Forcave të Armatosura të cilët kanë vendosur thasë me rërë në dy anët e argjinaturës së lumit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: