Nga: GERILINA KODHELI*
Emri i tij i vërtetë është Besnik Canolli, megjithatë të gjithë e njohim si 2Po2. Reperi është një nga artistët më të njohur të skenës hip-hop e gjithashtu të suksesshëm, veçanërisht me bashkëpunimet e tij të shumta me emra të njohur të skenës, si Elvana Gjata, Besa Kokëdhima, Capital 2 dhe shumë emra të tjerë. E ndërsa jeton në Francë së bashku me bashkëshorten e tij, Arbena Grajqevci dhe dy djemtë e tyre, 2Po2 është tejet aktiv në tregun shqiptar të muzikës me projekte dhe koncerte. Ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim çdo vit, vera që lamë pas e solli reperin vetëm me një këngë, atë me titull “Kohqëlujna”, të realizuar në bashkëpunim me DJ Vicky. Kjo këngë ka qenë një ndër më të suksesshmet edhe për shkak të stilit të saj të veçantë. Në një rrëfim për “Summer Pages”, këngëtari na tregon arsyen pse ka humbur frymëzimin, marrëdhënien me bashkëshorten dhe të vërtetën e thashethemeve se kohë më parë ka qenë i burgosur.
Ndryshe nga çdo vit, këtë verë prezantoheni vetëm me një projekt. Pse kjo zgjedhje?
Jam në një moment që nuk dua të prodhoj shumë. Më mungojnë koha dhe inspirimi; flas për të bërë diçka më ndryshe, për të bërë dallimin.
Bashkëpunimi juaj me DJ Vicky ishte krejtësisht ndryshe nga sa ju kemi parë deri tani. Kjo, për shkak të shpejtësisë me të cilën lëviz tregu, apo dëshirë për të lëvruar diçka të re?
Me DJ Vicky-n bashkëpunova sepse është një DJ i talentuar. Veç kësaj, kënga më pëlqeu. Edhe ironia brenda saj mund të reflektojë pak a shumë momentin që po kaloj, sidomos titulli i këngës.

Çfarë do të thuash më konkretisht? Je në një kohë që po luan me kë dhe me çfarë?
Është një kohë e pakohë, që të gjithë po luajnë role. Ka maska gjithandej! E vështirë për t’u shpjeguar në një intervistë! Është koha ajo që do ta tregojë më mirë. Megjithatë, unë jam vetëm një artist që sadopak, në këngët e mia mundohem të përshkruaj realitetin.
Keni thënë se vazhdimisht frymëzoheni nga realiteti, fenomene sociale dhe politike. Aktualisht, cilat fenomene jua nxisin krijimtarinë?
Për momentin, në aspektin social është një kaos total, dhe nuk di nëse kjo gjë më frymëzon apo ndoshta ma humb frymëzimin.
Sa ndikon fama juaj në familje dhe marrëdhëniet me bashkëshorten?
Këtë vit mbushim plot 20 vjet që njihemi me Arbenën, bashkëshorten time, dhe ndër vite lidhja jonë vetëm sa është forcuar. Të dy bashkë jemi prindër jashtëzakonisht të përqendruar në mirëqenien e fëmijëve tanë. Fama nuk është me rëndësi, nuk i kushtojmë vëmendje.
Të kanë ndodhur situata që të kanë vënë në siklet me fansat kur ke qenë në shoqërinë e Arbenës?
Ndoshta Arbenën e ka vënë në siklet, nuk e di, sepse nuk e ka shprehur, por mua jo, asnjëherë, sepse e konsideroj pjesë të një karriere artistike. Fansat për mua janë njëlloj, meshkuj dhe femra.
Numëron disa bashkëpunime të suksesshme me artistë të njohur. Këngëtarët, janë tekanjozë apo mendjemëdhenj?
Mendjemëdhenj ka sa të duash në skenën shqiptare, por jo mes atyre me të cilët kam bashkëpunuar unë. Kam një eksperiencë shumë të mirë me të gjithë ata që kam bashkëpunuar.
Besnik në tekstet e tua i ke kënduar parasë, por, në të vërtetë, cilat janë raportet që ke me paratë?
Janë plot dy strofa nga 16 vargje, plus refreni, që tregojnë pak a shumë raportet që kam me paranë. Por të mos keqkuptohemi, ka gjëra më të rëndësishme në jetë. Principet nuk i ndërroj për asgjë në jetë, as për para!
Thashethemet, i përjeton keq apo je indiferent?
Nuk janë bërë thashetheme për mua, megjithatë mendoj se do t’i përjetoja keq.
Kohët e fundit flitet se ke qenë në burg në Zvicër. Është e vërtetë?
Nuk kam dëgjuar të flitet, por është e vërtetë, kam qenë për vizitë te një mik i imi.
Personalisht, nuk ke pasur ndonjëherë probleme me ligjin?
Ka shumë pak shqiptarë që nuk kanë pasur probleme me ligjin.
Mund të na tregosh për çfarë konkretisht kanë qenë këto probleme?
Thashë që ka shumë pak shqiptarë që nuk kanë pasur probleme me ligjin, nuk thashë që unë kam pasur probleme.
Atëherë, ke pasur apo jo probleme? Nëse po, për cilat arsye?
Ka kohë që jam mirë me ligjin dhe kam dëshirë të flas për këtë temë.
Je ndër të rrallët këngëtarë hip-hop-i që i ke qëndruar larg rivalitetit mes kolegëve, diss-eve dhe konflikteve me artistët e tjerë. Çfarë mendimi keni për rrepin agresiv?
Rrepi duhet të jetë kompetitiv, nganjëherë edhe agresiv, pse jo?! Por brenda kornizave, duke pasur parasysh edhe ndikimin që muzika rrep ka te gjeneratat e reja.
Mes reperëve shqiptarë, cilët do të veçoje?
Rebel Aka Unikkatil, Capital T, Elinel, Kaos, Lyrical Son, Noizy, Ledri, Mc Kresha.
Cilat janë projektet që do të presim nga ju në vjeshtë?
Tani jam në përfundim të koncerteve verore. Pasi të pushoj disa ditë, do shohim se çfarë do ndodhë në studio. Për momentin nuk e kam idenë.
Do doje që një nga djemtë e tu të ndiqte rrugën tënde? Pse? Cili prej tyre e ka trashëguar talentin?
Nuk e di nëse do doja. Për momentin janë të vegjël e të përkushtuar në shkollë dhe aktivitete sportive më shumë. Do ta shohim më vonë nëse ndonjë prej tyre ka apo jo talent për muzikë.
Ke diçka për të shtuar? Ndonjë këshillë për artistët e rinj apo sugjerim për ata që janë të afirmuar?
U uroj sukses të gjithëve!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: