TIRANË- Pas akuzave të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ndaj opozitës se po nxin realitetin e vendit dhe tek ndërkombëtarët, ka reaguar kreu i PD-së Lulzim Basha.

Ai tha se problemi nuk është opozita, e vetmja që denoncon të vërtetën por terrori që sipas tij po mban të kyçur prej dy vitesh qytetarët e Elbasanit.

Ai tha se bandat e Elbasanit janë bërë njësh me politikën lokale të Qazim Sejdinit dhe mbështetjen e Ramës. Kreu i PD-së tha se Xhafaj lexoi fjalimin e Saimir Tahirit.

“Çfarë kuptuam nga zoti Ministër i Brendshëm. Problemi është opozita, opozita po nxin vendin. Kjo të kujton thënien e famshme popullore se kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin. Problemi nuk është opozita, problemi nuk është shpallja publikisht e të vërtetës që sot keni frikë ta thoni dhe një numëri në rritje mediash dhe e denoncon vetëm opozita. Problemi është kjo e vërtetë e dhimbshme që rëndon qytetin e tretë më të madh, Elbasanin, që i ka kyçur qytetarët për dy vjet nën terrorin e bandave, të bëra njësh me politikën lokale të Qazim Sejdinit, me mbështetjen e Edi Ramës. E njëjta situatë është në Lezhë, Shkodër, Lushnjë e Fier. Krimi sundon Shqipërinë, bandat sundojnë Shqipërinë. Kjo nuk është propagandë, nuk ka PD fuqi të manipulojë raportet e Europolit e Interpolit dhe agjencive ligj zbatuese të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Por ka vetëm fuqinë të tregojë të vërtetën këtu, para këtij parlamenti. Fjalimi që lexove ishte fjalimi i vjetër i Saimir Tahirit. Analiza, ndjeshmëria jo vetëm përballja. Por këtë nuk e bën dot ti, nuk e ke fajin ti. Ti je në konflikt interesi dhe natyrisht ai që të vuri është i kapur”, deklaroi Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: