TIRANE- Kreu i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri i vendit, Edi Rama, dhe deputeti socialist Ben Blushi kanë folur menjëherë pas votimit të Kongresit të PS-së për referendumin në lidhje me zgjedhjet për kryetar të saj.

Rama tha se referendumi i 9 prillit do tregojë nëse do të ketë ose jo zgjedhje për kreun e PS-së, ndërsa shtoi se zgjedhjet për kryetar të PS-së janë thjesht një alibi me qëllimin e vetëm, rrëzimin e qeverisë së PS-së.

Megjithatë, Rama e cilësoi Blushin si rebel, edhe pse nuk foli direkt për të, por duke shtuar se këta çmohen brenda PS-së.

“Është një alibi me qëllim të shpallur, për të rrezuar qeverinë e PS. Në procesin që vazhdon të reformimit, transformimit dhe rritjes së PS jam i vendosur që të nxis një demokratizim si asnjëherë më parë. Referendumi është një mundësi fantastike që përgjigjen, që këta, ose 1 njeri është ta marrin nga anëtarësia. Nëse anëtarët e partisë kërkojnë zgjedhje për kryetarin, të bëhen zgjedhjet. Nëse anëtarët nuk duan të bëjnë zgjedhje, atëherë nuk ka zgjedhje. Rebelët çmohen. PS është një parti që ka reaguar menjëherë kur rebelimi ka shkuar përtej parimeve të tona të përbashkëta. Ky është kulmi, kulmi kur kërkohet për të rrëzuar qeverinë e PS. Pyetja është nëse duhet për të bërë zgjedhje në PS apo jo”, tha Rama.

Por deputeti Blushi tha se ajo që ndodhi sot në Kongres është në kundërshtim me çdo normë. Blushi theksoi se Kongresi caktoi referendumin por nuk përcaktoi pyetjen, gjë që duhet të vendosej sot nga Kongresi.

Sipas tij, Rama është kryetari i vetëm i një partie në botë që futet në garë me veten. Për Blushin, referendumi është nul, pasi nuk ka pyetje dhe është absurd.

Ai bëri një paralelizëm me referendumin për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Sipas Blushit, populli vendos me referendum nëse do të zgjedhje ose jo Presidentin vetë dhe në rast se vendos për zgjedhje nga populli, atëherë Presidenti i zgjedhur nga Parlamenti duhet të hyjë në zgjedhje menjëherë.


PRONONCIMI I BLUSHIT PAS KONGRESIT

“Ishte një mundësi për të bërë zgjedhje me kandidatë, por ndodhi ajo që është në kundërshtim me çdo normë. Ju e patë që Rama kandidon kundër vetes. Kjo është kakofoni. Është referendumi i parë në botë që bëhet pa pyetje. Është kryetari i parë i një partie në botë që kandidon me veten. Ai u kthye në pikëpyetje sonte. Është sanksionim i një praktike trevjeçare të shkrirjes së funksionimit të Partisë Socialiste. Është një mënyrë amatore për ta kthyer partinë në një trup të vetëm amorfe ku askush s’ka të drejtë.

Referendumet nuk zëvendësojnë zgjedhjet, ndryshe s’do kishte zgjedhje dhe do kishte vetëm referendum pa pyetje. Dhe sigurisht nuk mund ta pranojë këtë mënyrë të eliminimit të kandidatëve. Ky referendum është një nul. S’mund t’i japë fuqinë një njeriu. E zëmë se me referendum fiton varianti që presidentin e zgjedh populli, dhe presidenti i zgjedhur nga Parlamenti hyn automatikisht në zgjedhje. Sigurisht unë jam kundër referendum. Pyetja duhet të dilte sot, për datën dhe pyetjen. Referendumi s’mund të krijojë legjitimitet për asnjeri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: