TIRANË

“Unë e kam votuar Ilir Metën për presidenti dhe përsëri nëse do të ktheheshim në të njëjtën situatë në 2017 përsëri do ta votoja Ilir Metën për president të Republikës edhe pse në një aspekt të thjeshtë dhe tejet personal nuk e kisha imagjinuar kurrë që të ishte presidenti më i dobët që ka njohur Shqipëri në këto 28 vite”.

Kështu deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla mbrëmjen e sotme në “Real Story” në News24. Ai foli për marrëdhëniet e maxhorancës me presidentin si dhe qëndrimet e tij duke kujtuar se në vitin e parë ka pasur një qasje normale.

Nga ana tjetër drejtori i News24 Robert Rakipllari tha se përplasja kryesore e maxhorancës me Presidentin ishte për Gjykatën Kushtetuese dhe se Venecia i dha të drejtë Presidentit duke mos lejuar kapjen e Kushtetueses e duke i bërë kështu një shërbim të madh interesit publik.

Taulant Balla: Në 2022 është një vendimmarrje tjetër. Nëse historia do më kthente jashtë dhe do më vinte përsëri në të njëjtat kushte do ta votoja Ilir Metën që kam njohur si kryetar parlamenti në marrëdhënien e tij me ligjin dhe me kushtetutën. Ndërkohë që sjellja e Ilir Metës si president i Republikës, qasja e tij për ta shndërruar Presidencën në një seli të opozitës jashtëparlamentare nuk e ka ndihmuar institucionin e presidentit për të ruajtur atë rol që Kushtetuta i ka  ngarkuar.

Në vitin e parë të bashkëqeverisjes, ai President dhe ne shumicë parlamentare ka qenë një qasje normale.

Robert Rakipllari: Debati kryesor dhe përplasja kryesore e juaja me presidentin ka qenë për Gjykatën Kushtetuese. Mendoj që Presidenti i Republikës i ka bërë një shërbim të madh interesit publik që ju të mos kapnit gjykatën kushtetuese. Sipas raportit të Komisionit të Venecias. Ilir Meta mund ta tejkalojë një president normal nga pikëpamja e gjuhës, gjuha e tij mund të jetë dhe më e ashpër se e opozitës por në këtë betejë Komisioni i Venecias i dha të drejtë dhe i ka bërë një shërbim të madh interesit publik.

Balla: Nuk është aspak e vërtetë që Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë.

Rakipllari: Kjo është e vërteta.

Balla: Ti ke të drejtë të opinionit por jo të vendimit.

Rakipllari: Ky është një fakt.

Balla: Akti më i rëndë i Presidentit të Republikës është prirja për të penguar zgjedhjet lokale. Unë ende mendoj edhe pse respektoj Komisionin e Venecias… Të pretendosh të bësh gjithçka me veprimet dhe mosveprimet, t’u heqësh qytetarëve të drejtën e votimit është shkelje e rëndë megjithëse respektoj Venecian.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb