TIRANË- Debate të forta ka pasur sot në komisionin parlamentar për mediat dhe edukimin lidhur me orarin e ri mësimor 3 lëndë në 6 orë që do të nisë aplikimin më 1 shkurt në të gjitha shkollat e sistemit parauniversitar në vend.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla është thirrur sot në komision për të folur për këtë nismë të qeverisë por nuk kanë munguar replikat dhe ngritjet e zërit. Më kritikë kanë qenë deputetët e PD-së Luçiano Boçi dhe kryetarja e komisionit Albana Vokshi, të cilët kanë deklaruar se ky program i ri është i pakonsultuar me mësuesit dhe vjen në mes të vitit arsimor.

Vokshi tha se ky është një vendim i kryeministrit dhe ministres. Nga ana tjetër Nikolla tha se është ndërmarrë kjo nismë nisur nga shqetësimet e mësuesve dhe prindërve.

20180131-092650

PJESË NGA REPLIKAT
Vokshi: Si mësuese a keni folur me mësuesit?
Nikolla: Meqë ti e ke merak, e kam për nder që kam qenë mësuese…

Nikolla: E shoh që jeni bërë duet…E di si dukeni nga këtu.
Boçi: E ke pas apo para 10 janarit. Përgjigjuni pyetjes.
Vokshi: Siç bëheni ju çift me kryeministrin ne bëjmë duet këtu. Lërini duetet këtu. Ndërsa ju jeni e kënaqur me nismën tuaj, na e sqaroni kaq.

Nikolla: Mësuesit janë pyetur para orarit mësimor.
Vokshi: Nuk bëhen lojëra fjalësh këtu. Përpara 10 janarit e keni marrë.
Ekonomi: Lëreni zonjën ministre të flasë.

Boçi: Para 10 janarit apo pas 10 janarit, pikë, kaq. Seancën dëgjimore por e bëjmë para aplikimit të orarit. Ne duam të dimë, mësuesit u testuan para apo pas 10 janarit.
Nikolla: Është pas datës 10 janar, para se ky orar të zbatohej në shkollë, para se të fillonte zbatimi i nismës.
Vokshi: Mësuesit nuk janë pyetur. Ua keni varur në qafë.

Nikolla: Nga raportimet e shkollave, në të gjitha diskutimet e planit mësimor, kanë ardhur raportime për mbingarkesën e madhe të një dite mësimore, ankesë e madhe e prindërve të peshës së madhe të çantave. Janë të gjitha këto problematika të dala në shkollë. Është bindja e plotë që është rruga e duhur për t’i dhënë zgjidhje të gjitha shqetësimeve. Edhe kur u ndryshua orari i mësimit nga 6 ditë në 5 ditë u bë në janar. Jemi përpara kushteve lehtësuese të mësuesve dhe prindërve. Është një moment që nuk duhej ndaluar për asnjë lloj arsye. Unë jam disponibël sa herë ju e gjykoni, qoftë edhe nëpërmjet vizitave në shkollë, për të dhënë llogari si ne jemi pas kësaj nisme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb