Historia e gërmimit të tokës për gjetjen dhe nxjerrjen e mineralit të kromit në Bulqizë daton që në vitin 1948. Ndërsa interesimi për “gurin me xixa” daton që gjatë luftës së parë botërore ku italiane dhe serbë grindeshin për kontrollimin e luginës së Vajkalit, aty ku sot gjendet Bulqiza.

Ishte nëntoka e pasur që i dha jetë qytetit mbi-tokë dhe ndërtimit të infrastrukturave industriale e urbane, gjithnjë në funksion të minierës. Sot e gjithë nëntoka e Bulqizës punëson mbi 5.000 vetë, duke u siguruar të ardhura familjeve të thuajse gjithë qytetit.
Edhe pse shumë i referohen si një njësi e vetme, Bulqiza nuk ka një minierë, por ka plot 36 miniera aktive dhe mbi 200 licensa për të operuar që janë dhënë pas demontimit të komunizmit në vend.

Pjesën më të madhe të këtyre shoqërive minerare nuk i njeh askush, pasi askush nuk flet e nuk i përmend minierat e tyre. Një pjesë janë në pronësi të “të fortëve” të zonës ose të personave ngushtësisht të lidhur me partitë politike. Është shumë e vështirë që të afrohesh në minierat e këtyre shoqërive, pasi është me rrezik. Kërcënimet e para të vijnë që tek kafet e qytetit kur pyet për vendndodhjen e galerive. Të gjithë të drejtojnë te shoqëria më e madhe që operon në Bulqizë, por nuk të tregojnë se ku janë minierat e tjera. Kanë frikë dhe nuk përfshihen më në bisedë, ndërkohë që sytë kureshtarë të tavolinave përreth të ndjekin kudo.

Edhe kur gjendesh pranë minierave të vogla është shumë e vështirë që të bësh foto apo të flasësh me ndonjë punëtor a minator. Minatorët zënë e largohen dhe nuk pranojnë kurrsesi të flasin me dikë që u prezantohet si gazetar. Vetëm pas shumë këmbënguljesh dhe larg galerisë ku punon, një minator pranon të flasë nën besën që nuk do i përmendet emri i tij apo i minierës ku punon.
“S’bahet llaf për kushte pune. Kjo osht’ nji vrimë, jo galeri. Nuk ka as kushtet minimale. S’po kërkoj dushe e dhoma zhveshje si ka miniera e ACR, por s’kena as mjete pune. Gjithçka e bajm’ me mjete si n’mesjet dhe helmetat dhe çizmet i kemi tonat” thotë ai në gegnisht, duke u larguar nga galeria ku punon.

Në një minierë tjetër të ngjashme mësojmë, gjithnjë nën fjalën e dhënë që nuk do përmendim emrin e minatorit apo pronarit të minierës, se aksidentet nuk deklarohen nga pronari pasi e ka kushëri një funksionar të lartë në policinë e qytetit. “As pensionin nuk na e paguajnë. Ne s’flasim dot se na heqin nga puna. Ku të shkojmë pastaj? Asgjë nuk thuhet dhe asgjë s’ka për t’u thënë për ne ndonjëherë, sepse Bulqiza është qytet i vogël dhe të gjithë janë të lidhur me njëri tjetrin. As sindikatat nuk kanë thënë as edhe një gjysmë fjale për ne. Edhe pse në minierat e vogla kushtet janë shumë më të këqija ata i qajnë hallin atyre që janë më mirë. Nga ana tjetër edhe i kuptoj se edhe ata kanë fëmijë dhe po i përmendën emrat e pronarëve do e kishin punën keq,” tregon me sinqeritet minatori bulqizak 45 vjeçar.

Këtu e mbyll pasi shoku që e shoqëron e tërheq për krahu pasi e kupton që biseda po shtrohej dhe mund të thuheshin edhe më shumë gjëra që s’duhen treguar për atë që ndodh brenda minierave në pronësi të “fortëve” dhe kushërinjve të politikanëve rajonalë.

Edhe pse flitet shpesh, asnjë nuk ka guxuar të nxjerrë emrat e shoqërive që kanë në pronësi minierat në Bulqizë. Dhe nuk është një minierë, por janë mbi 40, prej të cilave vetëm 36 janë të pajisur me lejet përkatëse. Në bisedat e korridoreve të zyrave shtetërore dëgjon edhe më shumë që konfirmojnë atë çfarë thonin minatorët e këtyre minierave që nuk përmenden asnjëherë. “Minierat që u nënshtrohen kontrolleve të vazhdueshme nga ana e institucioneve shtetërore numërohen në gishtat e një dore. Hiq ndonjë nga minierat e mëdha, të tjerat janë si fantazma. Ne nuk i shikojmë dot pasi janë miqtë e dikujt. Madje nuk raportojnë as kur ndodh ndonjë aksident”

As sindikata kurajoze “Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës”, e udhëhequr nga kandidati për deputet, Elton Debreshi, nuk i ka përmendur asnjëherë emrat e pronarëve të minierave të tjera që operojnë në Bulqizë, përveç minierës së Albkrom. Nuk është e lehtë të flasësh për këto miniera në një qytet të vogël ku të gjithë njihen dhe ku i huaji kureshtar nuk mikpritet. Janë pikërisht në këto miniera që prodhojnë, fatkeqësisht, edhe numrin më të madh të aksidenteve. Këtu kanë humbur më shumë jetë njerëzish por askush nuk i përmend. Këtë e thonë të gjithë në Bulqizë por është e vështirë ta thonë publikisht. Dikush ruan vendin e punës, dikush ka frikë, dikush ka fushatën përpara dhe dikush ka kushëririn apo një të njohur që ka në pronësi një minierë të tillë.

Edhe ne e tentuam, por nuk mundëm të afroheshim për foto apo të flisnim me dikë nga minierat “sekrete” të Bulqizës. Më shumë sesa miniera duken si bunkerë sekret, për të cilat as mediat e Tiranës nuk flasin. Duke dashur që të ruajmë ata pak minatorë që i takuam dhe që pranuan të na tregojnë sesi funksionojnë gjërat brenda disa prej minierave për të cilat nuk flet askush, ne po e botojmë të plotë listën e shoqërive që kanë në pronësi miniera kromi në Bulqizë.

Kjo është lista e kompanive në fjalë dhe zonat se ku operon secila prej tyre:

Lista 277x300
Lista 277×300

/Zoom.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb