Londra është Babilonia moderne”, pati thënë para 150 vitesh ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Benjamin Disraeli. Nuk e ka pasur keq, sepse për të shkuar nga njëri “cep” në tjetrin të këtij qyteti madhështor, duhet ta kesh kalitur mirë durimin me trafikun. Një udhëtim nga “West Ham Station” drejt stadiumit mitik, “Uembli”, zgjat afërisht dy orë, edhe pse aplikacioni në internet “të gënjen” kur thotë se zgjat vetëm 1 orë e 13 minuta.

Kompleksi stërvitor ku kreu stërvitjen e fundit Kombëtarja shqiptare ishte edhe 28 minuta më larg “Uemblit”, ku sot në 20:45 Shqipëria do të luajë kundër Anglisë. Një kampus universitar duket me shumë fusha të rrethuara kushedi se për çfarë arsyeje me dopiorrjetë metalike. Vendi të jep përshtypjen se është kaq i paqtë, saqë duket e panevojshëm rrethimi pothuajse ushtarak. Para nesh kanë mbërritur disa reporterë anglezë, që sapo prezantohen nisin të të bombardojnë me pyetje: “A luan Broja? Kush do jetë në portë? Sa vetë mungojnë? Pse nuk stërvitet skuadra juaj në ‘Uembli’ një ditë para?…”

Broja
Broja

Armando Broja duke ndjekur stërvitjen nga stoli

Kemi kohë t’u përgjigjemi të gjithëve, sepse ende nuk ka shkuar ora 18:00. Jemi 50 minuta para në konferencën e trajnerit Edi Reja dhe është befasi e madhe të shohësh se sa shpejt kanë shkuar kolegët tanë anglezë. Gjatë bisedës më së shumti habia e tyre është se si për këtë ndeshje janë shitur 90 mijë bileta. “Jemi të surprizuar, nuk prisnim kaq shumë interes, por me siguri shumë janë nga tuajt”, të thotë një gazetare rreth të 40-ave. Me “tuajt” e kishte fjalën për tifozët shqiptarë që kanë siguruar një biletë për ndeshjen e sotme në mbrëmje.

Ndërkaq, Reja nxitimthi ia beh në derën e sallës modeste dhe pyet pa u ulur ende mirë: “A jemi gati të nisim? Jepini, sepse jam vonë për stërvitje…”. Më pas, kur e kupton që batuta e tij u mor më seriozisht sesa duhej, shtensionon situatën duke thënë: “Nuk ka problem, mund të pres pak minuta…”. E megjithatë, i duhet të presë vërtet dhe nervozohet “seriozisht” kur disa prej kolegëve njoftojnë me telefon se kanë ngecur në trafik dhe u duhen 4-5 minuta kohë që të vijnë. “Ah, jo, po erdha unë në kohë, të gjithë të tjerët duhet të ishin këtu…”, thotë trajneri i Kombëtares.

Broja Uzuni
Broja Uzuni

Ndërkohë, nga dritarja e godinës, ku shfaqen lojtarët e Kombëtares të strukur brenda, veshjet e tyre janë jo fort komode për ato temperatura. Ikin me nxitim drejt fushës ku do të zhvillojnë stërvitjen e fundit, atë që duhet ta kryenin në “Uembli”. “Djema, ishte e pamundur të kryenim stërvitje në ‘Uembli’. Shumë larg hotelit ku jemi akomoduar, por mos ua thoni këtë anglezëve”, lëshon batutën e radhës Edi Reja.

Dhe pas konferencës për shtyp, duke ëndërruar një mbrëmje italiane si ajo e Mançinit në finalen e “Euro 2020”, trajneri 76-vjeçar ikën me një nxitim prej djaloshari për t’iu bashkuar skuadrës në fushën ku kishin nisur nxehmjen. Rruga deri atje nuk është më shumë se 200 metra larg, por sapo mbërrin atje, pyet: “Ku është porta e lëvizshme? O djema, porta e lëvizshme more ku është?” Aty kujtohen të gjithë se mungon diçka e rëndësishme.

Dhe disa nga pjesëtarët e stafit, së bashku me mirëmbajtësit e kompleksit, nisen me vrap të marrin “borxh” një portë të lëvizshme te fusha ngjitur. Roshi, Çekiçi dhe Doka bëjnë më shumë batuta sesa stërvitje në triangolon e tyre. Në një moment, ish-mbrojtësi i Tiranës kap lehtë nga veshi Odisenë dhe fton fotografin e Kombëtares: “Ma bëj një foto kështu, se e meriton ky”. Odiseja ia plotëson dëshirën dhe ndonëse duket i zënë në faj, faqet në fakt i janë skuqur paksa nga temperaturat e ulëta, që shkonin deri në 5-6 gradë. Mandej aty vjen zv.trajneri Ervin Bulku, ndër të paktit që ka një xhup të veshur dhe nis t’u thotë lojtarëve: “Nuk bëhet ashtu ushtrimi me topin o djema, shikoni dhe mësoni”. Pasi dështon me “palexhon” në tentativën e parë, më pas edhe me të dytën dhe në fund thotë: “Oh, qenka ftohtë, shumë ftohtë”.

Kampusi
Kampusi

Portieri Strakosha ndërkohë merret pak me Dermakun, ndërsa Broja është i ulur në stolin e improvizuar për nxënës shkolle dhe e mban këmbën shtrirë. Aty pranë i rri një anëtar i stafit dhe nuk dihet se për çfarë bisedojnë, por më pas ia fashojnë të dyja këmbët në pjesën e kaviljeve. Është i vetmi që nuk merr pjesë në 15 minutat e para të stërvitjes, aq sa Reja na la të ndiqnim seancën e fundit. Më pas na afrohet një anglez, shefi i sigurimit të atyre fushave, dhe na kërkon me ngulm të largohemi. Ndoshta ai nuk e di që Shqipëria sot nuk ka nevojë për shumë skema ose që ne e kemi mësuar përmendësh se si luan Reja.

Në dalje të kompleksit, shfaqet sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i zhytur i tëri në një xhup të madh, aq sa me zor njihet. I vështron me një lloj nostalgjie lehtësisht të lexueshme veprimet e lojtarëve në fushë. Kur e pyet se çfarë pret për ndeshjen e sotme, niset të flasë me seriozitetin e një zyrtari, por heq dorë në pak sekonda. “O djema, ata favoritë janë, por ne mirë është të luajmë për të mos pasur asnjë pishman, të shohim. Nuk kemi gjë për të humbur…”. Sapo zbresim në sheshin kryesor të kompleksit, nëse quhet i tillë, afrohen gazetarët anglezë dhe fillojnë sërish nga e para: “Po Broja a luan?…” Nga i dërguari ynë në Londër, JETMIR HALILAJ

Panorama Sport 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb