Emisioni “Në shënjestër” sjell sot dramën njerëzore të luftës në Ukrainë.

Jemi në Poloni, në kufirin me Ukrainën. Këtu ku po luhet drama më e madhe e kohëve moderne të njerëzimit. Ku pushtimi rus i Ukrainës, ka detyruar me dhjetra mijëra njerëz të lënë banesat e tyre, të afërmit e tyre, për tu strehuar në Poloninë fqinje. I tillë është sot edhe stacioni i trenit në Przemyls. I cili pret refugjatët e luftës. Një situatë e pamendueshme në kohë paqe.

Fëmijë të traumatizuar, që kanë lënë pas fëmijërinë e tyre. Gra të përhumbura që tërheqin me vete ç’të mundin. Që kanë lënë pas meshkujt e familjes, të cilët kanë rrokur armët për të mbrojtur vendin e tyre nga agresori rus. Vajza të reja të cilat duhet të mendonin për dashurinë, por që në këmbim morën luftën. Të cilën ende nuk e kuptojnë. Gra shtatzëna që prisnin që fëmijët e tyre ti sillnin në jetë në një Ukrainë në paqe. Në Przemyls mund të shikosh në një fragment kohor shumë emocione të përziera.  Një brez i tërë i rritur me rrjetet sociale, me imazhet e bukura, që as e mendonte se një ditë do të ishin vetë imazhi i ikjes nga një luftë që bota e ka cilësuar si pa shkak.

Një grup i televizionit News 24 ka mbërritur këtu në Przemyls, për të parë nga afër pikërisht atë që po ngjet me eksodin më biblik pas luftës në Kosovë, 20 vite më parë. Przemyls, një stacion treni që ndodhet vetëm 8 km nga kufiri polak me atë ukrainas.

Që këto ditë është kthyer në një strehë të madhe vullnetarësh, jo vetëm nga Polonia por e gjithë Evropa. Të cilët, pavarësisht temperaturave nën zero që mbizotëron në këtë rajon lindor të Evropës, kanë sfiduar të ftohtin dhe po u vijnë në ndihmë ukrainasve që po u ikin bombardimeve ruse.

Klodiana Lala: “Ndodhem në stacionin e trenit në Przemysl. Kjo në fakt është  vetëm 8 km larg kufirit me Ukrainën që është në ditën e 8 të pushtimit rus. Një krizë humanitare kanë lënë vendin për të ardhur në një tokë të sigurtë.”

Przemysl në kufi me Ukrainën është vetëm 558 km larg Kievit. Ndërkohë që qyteti më i afërt me këtë pikë stacioni është Lyivi. Ky stacioni treni është edhe qendra më e madhe pritëse dhe koordinuese që mirëpret refugjatët e luftës ukrainas. Të cilët me të ardhur këtu më pas koordinohen nga vullnetarët dhe autoritetet shtetërore polake, të cilët i asistojnë në nevojat që ata kanë.

Siç shikohet edhe nga këto pamje, pjesa më e madhe e të ikurve nga lufta janë fëmijë, gra shtatzëna dhe të moshuara. Ndërkohë që jashtë këtij stacioni, vargu i makinave që presin të futen në Poloni nga Ukraina, ka shkuar në 64 kilometra. Ndërsa janë me dhjetra trena që priten të vijnë nga Lyivi në drejtim të këtij stacioni. Në një situatë humanitare e cila sa vjen dhe rëndohet.

Dhe sa e vështirë është ti përmbash emocionet, kur hedh sytë përtej dritares së kësaj salle. Një sallë e veçantë ku janë të vendosura gratë dhe fëmijët në nevojë, të traumatizuar nga ajo çfarë u kanë parë sytë.

Klodiana Lala: “Kjo sallë ku janë vendosur gratë dhe fëmijët është e pamundur në fakt të flasësh me ta. Në momentin që kapërcejnë pragun e kësaj salle. Fëmijët që kanë nevojë për kujdes shëndetësor, por ka midis tyre që kanë provuar edhe traumat e bombardimeve.”.

Puna më e madhe këtu u takon vullnetarëve. Qytetarët që po i largohen luftës në Ukrainë janë të lodhur dhe psikologjikisht të rënë. Ata kanë nevojë për asistencë të vazhdueshme. Dhe kjo është edhe detyra e vullnetarëve në këto ditë të vështira për fqinjët e tyre.

Vullnetare: “Këtu mbledhim informacione nëse njerëzit duan të qëndrojnë për një natë, apo për disa javë. Ata mundohen të gjejnë një vend ku mund të qëndrojnë. Ne gjithashtu mundësojmë transportin, me autobus ose me makina private. Ne lidhim njerëzit. Psh personi që ka makinën vjen këtu dhe thotë kam katër vende ose tre. Unë i zgjedh njerëzit dhe ato shkojnë me personin që ka makinën. Pra lidhim njerëzit që vijnë nga Ukraina me njerëzit që duan tu vijnë në ndihmë atyre.”

Jana Kinas është një tjetër vullnetare të cilën e gjejmë këtu në Ptrzemyls, për të ofruar ndihmën e saj. Ajo është pjesë e një organizate e gatshme të strehojë qytetarët ukrainas në disa vende të BE.

Përfaqësuese e organizatës: “Unë përfaqësoj organizatën time. Kam tridhjetë shtëpi në Poloni, Rumani dhe Suedi. Unë mund t’u jap njerëzve punë dhe shkollë. Jam këtu për të ndihmuar emigrantët.”

Tragjedia në këtë pikë stacionimi treni është e prekshme në çdo rrëfim. Kjo vajzë mes lotësh tregon se pas nuk ka lënë vetëm njerëzit më të dashur, por edhe gjithë kujtimet e saj. Ndër to edhe kafshët e saj të dashura, që e nuk e di nëse një ditë do të mundet ti përqafojë dot më.

Shtetase ukrainase: “Jam nga Kievi. Jam me fëmijët dhe burrin këtu. Kam qenin dhe macen atje. Ka shpërthime afër shtëpisë….”

Drama më e madhe e kësaj lufte të pakuptimtë, janë fëmijët. Janë ata që nuk e kuptojnë dhe që me të drejtë nuk duan ta kuptojnë një luftë.  Kjo vajzë e vogël e cila duhet ende të gëzonte fëmijërinë e saj, është një tjetër refugjate lufte. Ajo ka mbërritur këtu me një pjesë të familjes së saj. Ndërkohë që babai dhe xhaxhai janë duke mbrojtur vendin e saj dhe të tyre, në mënyrë që një ditë ata të kthehen të lirë në Ukrainë.

Shtetase ukrainase: “Unë jam nga Ukraina. Ne vendin tonë ka luftë midis Ukrainës dhe Rusisë dhe është shumë e rrezikshme të qëndrosh atje. Babai dhe xhaxhai kanë qëndruar atje për të luftuar.”

Kjo grua që i ka ikur luftës përpiqet ti mbajë lotët. Por e ka të vështirë. Ajo ka mbërritur këtu me djalin e saj të vogël. Ndërkohë që trauma është e madhe.

Shtetase ukrainase: “Kjo është diçka shumë e keqe. Kemi njerëz të sëmurë. Kemi ikur me nxitim. Ky këtu është djali im. Kemi parë tmerr me sy.”

Por nuk janë vetëm fëmijët e Ukrainës që po përjetojnë tmerrin e luftës. Kjo zonjë thotë se ka mbërritur këtu nga shumë larg. Pasi sigurohet se vendi nga ku vijmë është miqësor me popullin e Ukrainës, mes lotësh na tregon se ka lënë pas në vendin e saj motrën dhe babain e saj. Ajo na tregon gjatë bisedës se është ruse me origjinë.Dhe për të dhe familjen e saj ka vetëm një shkaktar për këtë luftë, që ndodhet i izoluar në çmendinën e tij në Kremlin.

Shtetase ruse: “Së pari dua t’ju them se kam lënë pas motrën dhe babain. Tani është një situatë shumë e vështirë në Ukrainë. Sepse njerëzit nuk kanë me se të ushqehen. Ata nuk janë në gjendje të mirë. Dhe ndodhen nën çati. Unë mendoj që ka vetëm një njeri të çmendur. Unë jam një grua ruse. Babai im është rus. Kurse mamaja ime është ukrainase. Unë jetoj prej 40 vitesh në Ukrainë. Dhe nuk kam pasur kurrë probleme. Miqtë e mi më thonë mua, mos fol rusisht, vetëm anglisht. Por unë u them. Problemi është vetëm në kokën e një njeriu që ndodhet në Kremlin. Nuk ka asnjë problem në Ukrainë.”

Në stacionin e trenit në Przmyls nuk ka vetëm të ikur nga Ukraina. Dashuria sfidon çdo luftë. Michel është një i ri që ka ardhur nga Praga këtu. Ai po pret prej disa orësh me sytë nga hyrja e metrosë. Nga ku pritet të vijë e dashura e tij dhe vajza e saj.

Shtetas çek: Jam nga Praga, jam këtu sepse e dashura ime dhe vajza e saj janë nga Ukrainë. Po pres që të shkojmë në shtëpinë time dhe të jenë të sigurta. Disa qytete janë bombarduar, edhe në qytetet e tjera është e rrezikshme, por jo aq sa në ato që janë bombarduar. Njerëzit që jetojnë në pjesën perëndimore të vendit janë në një situatë më të mirë.”

Lufta papritur ka ndryshuar kursin e jetës së gjithsecilit. Ky i ri nga Azerbajxhani i cili studionte në një nga universitetet e Kievit, nuk do ta kishte menduar se një ditë do të ishte në flakët e luftës. Në fakt askush nuk mund ta mendonte se paqja do të ishte kaq e brishtë dhe lufta do ndryshonte njëherë e mirë jetët e tyre.

Student nga Azerbajxhani: “Jam nga Azerbajxhani. Isha student në Ukrainë, por për shkak të gjendjes së luftës duhet të largoheshim në një tjetër qytet. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se sa e rrezikshme është që të qëndrosh në Ukrainë. Është një situatë e tmerrshme dhe shumë me rrezik. Çdo ditë kemi menduar se si mund të qëndrojmë gjallë dhe të shpëtojmë jetën tonë. Aktualisht po mendojmë të qëndrojmë në Poloni për dy-tri ditë, në mënyrë që të pushojmë pak sepse kemi qëndruar në rrugë për rreth një javë. Jemi shumë të lodhur, por shpresoj që në dy- tri ditë do ta gjejmë mundësinë edhe do të kthehemi në vendlindjen tonë. Sa më shpejt të jetë e mundur.

Ky student mjekësie është një tjetër qytetar ukrainas që u ka ikur bombave që po hidhen mbi kombin e tij. Por siç thotë edhe vetë, do të kthehet shpejt në Ukrainën, që ka nevojë më shumë se kurrë për ta.

Student nga Ukraina: “U arratisa nga Ukraina për shkak të situatës atje. Jam student në vitin e fundit për mjekësi, por nuk e mbarova dot për shkak të luftës. Po iki në Varshavë, por do të kthehem në Ukrainë.

Kjo vajzë është një tjetër e ikur që ka lënë rininë e saj në Ukrainë. Ajo thotë se është nga Kievi. Dhe fajtor për gjithë katastrofë bën Rusinë. E cila sot po bombardon të ardhmen e saj dhe të bashkëkombasve ukrainas.

Shtetase ukrainase: “Familja imë është në Kiev tani. Është vërtetë e rrezikshme situate atje në Ukainë. Rusia vrau njerëzit tonë. Është shumë e rrezikshme. Vendi ynë tani ka nevojë për ndihmë nga e gjithë bota. Ju lutem ndihmoni Ukainën!”

Stacioni i trenit në Przemyls është vetëm një nga kampet e shumta të akomodimit në kufirin polak. Ky këtu është një tjetër stacion referimi për refugjatët ukrainas të luftës. Deri më tani thuhet se mbi 1 milion ukrainas kanë lënë shtëpitë e tyre për ti shpëtuar agresionit rus.

Klodiana Lala: “Mbi 1 milion emigrantë nga Ukraina janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të luftës. Shumica janë vendosur në Poloni. Ekipi i News 24 kanë lëvizur në disa kampe.”

Ky burrë që shikoni në pamje ka mbërritur nga Danimarka. Dhe siç kuptohet nga letra që mban në duar, ofron udhëtim falas për në vendin e tij për refugjatët ukrainas. Në fakt, në këto ditë të vështira për Ukrainën, janë të shumë europianët që janë solidarizuar me ta. Një solidarizim i jashtëzakonshëm, i pandodhur më parë në historinë moderne të njerëzimit. Ku me qindra vullnetarë nga Bashkimi Evropian kanë mbërritur në këtë kamp dhe të tjerë të ndërtuar si këto, për tu ardhur në ndihmë qytetarëve ukrainas që largohen nga lufta. 

Klodiana Lala: “Unë jam zhvendosur në Przemyls në një kamp tjetër, ku janë vendosur çadra. Ky është një tjetër kamp që vizituam më herët. Ka shumë vullnetarë nga BE.”

Shumë nga të rinjtë që ikin nga Ukraina, kanë vendosur që të qëndrojnë në Poloni. Ata janë shpresëplotë se lufta do të përfundojë shpejt.

Klodiana Lala: “Emigrantët thonë se do të vijojnë të qëndrojnë në Poloni me shpresën që lufta të përfundojë dhe më pas të kthehen.”

Ky djalë me këtë pankartë me ngjyrat e flamurit të tij, ka mbërritur këtu në stacionin e trenit në Przemyls nga Hollanda.

Vullnetar nga Hollanda: “Unë jam këtu me një mikun tim. Dhe dua ti jap mbështetje njerëzve të largohen nga këtu. Unë shikoj njerëz këtu të cilët duan të udhëtojnë dhe i ftoj të vijnë me mua.”

Trishtimi në sytë e grave ukrainase që sapo kanë lënë atdheun e tyre është i dukshëm. Kjo grua e re që sapo ka mbërritur me vajzën e saj në Przemyls, nuk i mban dot lotët kur kujton dramën që la pas. Ajo thotë se një bombë i shkatërroi banesën ku jetonin në Kiev. Ndërkohë që bashkëshorti i saj qëndroi për të mbrojtur atdheun nga pushtuesit rus.

Shtetase ukrainase: “Jam nga Kievi. Ka luftë në shtëpinë time, në vendin tim. Jam këtu me fëmijët e mi. Bashkëshorti im qëndroi në Kiev, gjithashtu dhe qeni dhe macja ime. Jeta ime është e shkatërruar. Një bombë e madhë ra mbi shtëpinë time.”

Lufta në Ukrainë ka kthyer në këtë vend edhe të gjithë prozhektorët e mediave me të mëdha ndërkombëtare. Të cilat po transmetojnë në kohë reale zhvillimet në këtë vend. Ku siç shikohet edhe në këto pamje, një pjesë e mirë e tyre janë tashmë të stacionuara këtu në Przmyls.

Klodiana Lala: “Pushtimi rus i Ukrainës sigurisht që ka tërhequr vëmendjen e mbarë opinionin publik dhe mediave ndërkombëtareNë këtë kamp pas krahëve të mi janë të gjitha stacionet ndërkombëtare të cilët kanë mbërritur në Poloni për të transmetuar hap pas hapi çfarë po ndodh në këtë vend.”

Teksa konflikti i armatosur ka hyrë në ditët e veta më të ashpra, duket se edhe zogjtë po i largohen me shpejtësi Ukrainës së përfshirë nga lufta dhe bombardimet. Ndërsa vazhdojmë të mbledhim rrëfimet tronditëse të vajzave dhe grave që nuk e dinë nëse një ditë do të munden ti shohin të gjallë të burrat dhe djemtë e tyre.  Kjo vajzë e re është një tjetër refugjate lufte e cila është akomoduar në qendrën e pritjes në Przemyls. Edhe ajo ka lënë pas në Ukrainë burrat e familjes së saj dhe është e shqetësuar për fatin e tyre.

 “Kjo është dita ime e pare këtu. Jam me familjen, me motrën dhe me mamin. Ndërsa në Ukrainë kam gjyshërit e mi. Në qytetin tim nuk ka patur bombardime, por kemi patur shumë sinjale nga ajri. Jam e frikësuar, është e frikshme për të gjithë Ukrainën, është problem për të gjithë Ukrainën dhe të gjithë botën. Nuk është problem vetëm i Kievit. Është një problem botëror.”, tha një shtetase ukrainase.

Por ata që kanë nevojë për më shumë dashuri në këto momente janë fëmijët. Në gjithë këtë katrahurë të gatuar nga të rriturit, ata janë më të pafajshmit. Ku një nga mënyrat më të mira këtu në Przemyls që fëmijët të harrojnë sadopak ato që sapo kaluan, është të vizatojnë.

Klodiana Lala: “Qindra apo mijëra fëmijë nga Ukraina janë larguar dhe janë vendosur në kampet e ngritura në Poloni. Fëmijët sigurisht nuk e kuptojnë se çfarë është lufta. Por ama kuptojnë se  diçka e keqe ka ndodhur. Kjo sepse ndodhen të gjithë se bashku në një vend të panjohur për ta. Megjithatë ata ambientohen shumë shpejt…..Disa prej tyre luajnë me lodra dhe ndërsa disa të tjerë të vizatojnë.”

Bozhena dhe Elena janë dy motra të cilat ashtu si fëmijët e tjerë janë akomoduar këtu në Przmyls. Elena ka zgjedhur të na surprizojë me një vizatim të bërë vetë, që tregon se bota e tyre e brendshme ka të tjera ngjyra nga lufta.

Klodiana Lala: “Bozhena dhe Elena dy motra nga Ukraina të cilat janë vendosur në një kamp në Poloni, më bënë këtë dhuratë të çmuar, të cilët unë duhet ta ruaj si një kujtim nga ajo që po ndodh në Ukrainën e sotme. Sepse e nesërmja do të jetë ndryshme. Ky do të jetë një kujtim që unë do ta mbaj në muret e shtëpisë sime.”

Ndërkohë që nata ka rënë në Przemyls, dhe bashkë me të edhe temperaturat që shënojnë – 6, kolona e refugjatëve të luftës vazhdon të rritet. Ku në pritje në këtë të ftohtë të acartë ka edhe shumë fëmijë. Ndërsa autoritetet polake janë në gatishmëri të plotë.

Klodiana Lala: “Kjo qendër nuk pushon asnjë moment. Emigrantët disa largohen. Vijnë të rinj. Marrin ndihmë shëndetësore apo ushqehen. Historitët e tyre njerëzore janë drama të vërteta. Kanë lënë pas. Në Kiev janë të gjithë të shkatërruar. Ankthi dhe stresi ndihet shumë te fëmijët e tyre. Janë të shqetësuar për familjarët e tyre.”

Klodiana Lala: “Rusia vijon bombardimet. Ata nuk e dinë nëse të afërmit e tyre do të arrijnë  të mbijetojnë nga sulmet rusë. Këtu është një situatë jashtëzakonisht  vështirë, shteti polak po bëjnë të pamundurën / Solidarizimi nga BE është i lartë.

Klodiana Lala: “Tashmë jemi zhvendosur në Medika në pikën kufitare midis Polonisë dhe Ukrainës. Vijojnë të vijnë sërish emigrant. Për shkak të teneraturave të ulëta ka rënë fluksi. Këtu kanë mbërritur gjysmë milioni njerëz.”

Në ditën e tretë të qëndrimit në kufirin polak, grupi ynë i xhirimit vendos të shkojë në Ukrainë, në Lyiv, në qytetin më të afërt me Poloninë. Rrugës pamja duket sureale. Nga dritarja e makinës me të cilën udhëtojmë mundemi të shquajmë barrikadat me thasë të ngritura nga ushtria ukrainase. Në pritje të një agresioni të mundshëm rus. Ndërsa kordoni i refugjatëve që i ikin luftës duket i pambarimtë.

Klodiana Lala: “Kemi kaluar territorin dhe kemi hyrë në Ukrainë. Ndërkohë që në drejtim të Polonisë vijnë më mijëra emigrantë. Burrat dhe djemtë e Ukrainës kanë lënë vendet e BE-së dhe janë bërë gati për të shkuar në qytetet e tyre të lindjes për tu përballur me pushtuesin.”

Klodiana Lala: “Për të hyrë në qendër të qytetit duhen të paktën dy orë. Sepse Policia dhe ushtria kanë ngritur postoblloqe. Ata në fakt nuk lejojnë të filmojmë sepse kanë frikë se rusët mund ti bombardojnë. News 24 ka mundur të sigurojë disa pamje se si ukrainasit kanë vendosur të përballen me pushtuesin rus.”.

Në Lyiv situata duket më e qetë. Por ndjenja e frikës të një sulmi të shpejtë nga ushtria ruse është e pranishme kudo.

Klodiana Lala: “Ndodhemi në Lyiv të Ukrainës. Situata këtu paraqitet e qetë megjithatë qytetarët janë të shqetësuar se nga momenti në moment edhe kjo pjesë mund të preket nga lufta. Në këtë qytet të Ukrainës janë zhvendosur të gjitha ambasadat, megjithatë edhe këtu janë marrë masat. Të jashtëzakonshme për tu mbrojtur nga pushtuesit.”

Qytetarët në Lyiv edhe pse të paktë në numër, nuk i kanë lënë pas shëtitjet. Pavarësisht hijeve të luftës.

Shtetas azerbajxhanas: “Jam nga Azerbajxhani. Jetoj prej 16 vitesh në Ukrainë. Gruaja ime është ukrainase. Jam i impresionuar nga ukrainasit që luftojnë për lirinë dhe jetën e tyre. Mendoj që Ukraina do fitojë por do të duhet pak kohë. Na u desh të largoheshim nga kryeqyteti për pak kohë sepse këtu është më e sigurtë.”

Ka nga ata që nuk duan të largohen nga vendi i tyre. Kjo vajzë është nga Donbassi. Një territor i pretenduar nga rusët. Ajo ka bindjen se në fund Ukraina do fitojë.

Shtetase ukrainase: “Të dy jemi nga Kievi. Atje është shumë keq. Unë, familja ime dhe i dashuri shkonim në vendstrehim për shumë orë. Bombardimet kanë shkatërruar shumë objekte. Kam miq edhe në Kharkiv që është shkatërruar shumë keq. Në Lyiv kemi tre ditë që kemi ardhur. Ka alarme por nuk është edhe aq keq. Unë jam nga Donbassi. Ne nuk i duam rusët këtu. Duam që Ukraina të fitojë.”

Në qendër të Lyivit, tashmë heronjtë e rinj të kohëve moderne, janë afishuar në fasadën qendrore të ndërtesave. Janë ata që dhanë gjakun të parët kundër okupacionit rus.

Klodiana Lala: “Ndërkohë që lufta vijon ukrainasit kanë vendosur të nderojnë heronjtë e tyre. Në këtë ndërtese janë vendosur tre foto. Njëra është e ushtarit që u vetësakrufikua duke shkatërruar urën.”

Por lufta duket se nuk ka prekur vetëm jetët e njerëzve të thjeshtë. Por edhe të elitës së vendit. Kjo zonjë e cila thotë se është artiste po i arratiset bombave që tashmë kanë shkatërruar qytetin e saj.   

Aktore ukrainase: “Po ikim për shkak të luftës. Jam aktore dhe këngëtare. Po shkoj në Poloni sepse rusët janë terroristë. Dhe në qytetin tim ka luftë dhe kudo bombardohet.”

Të gjithë pa përjashtim bëjnë fajtor Vladimir Putin, për luftën që ka nisur në Ukrainë. Askush nuk e do luftën. Madje as bjellorusët që Putini e quan qeverinë e tyre, aleatë të Rusisë.

Shtetas ukrainas: “Unë jam nga Ukraina. Qyteti i Lvivit është i qetë për momentin. Ushtria bjelloruse po proteston dhe nuk do të shkojë në Ukrainë.”

Shtetase ukrainase: “Putin po vret njerëzit tanë. Familja ime mbeti në Ukrainë. Mamaja ime mbeti me babain i cili duhet të qëndrojë për të luftuar në vendin tonë. Kur të mbarojë lufta dua të kthehem në vendin tim.”

Klodiana Lala: ‘Por nëse gratë dhe fëmijët vijnë nga Ukraina, burrat vijnë në drejtim të këtij vendi sepse janë të vendosur që të përballen me pushtuesin e tyre.”

Por ajo që na bën të ndihemi si shqiptarë dhe që tregon se kujtesa historike na thërret në drama të tilla si kjo e Ukrainës, është se midis vullnetarëve që kanë mbërritur nga Evropa, ka edhe shqiptarë. Ata që nuk e harrojnë se në ditën e tyre më të vështirë të ekzistencës, ishte edhe për ta një dorë që i ndihmoi.

Siç është edhe ky shtetas kosovar të cilin e gjejmë rrugës së kthimit në kufirin polak, duke u shërbyer refugjatëve ukrainas.  

Vullnetari shqiptar: “Siç po e shikon edhe vetë shumë refugjatë, gra dhe fëmijë. Ato nuk harrohen. Kjo ka qenë si dejavu. Duhet me i tregu botës se çfarë po ndodh.”

Dhe pikërisht bota duhet të mësojë. Të mësojë të reagojë edhe nëpërmjet këtyre gjesteve kuptimplotë. Për ti dhënë fund marrëzisë së një autokrati, që shumëkush sot e quan një të çmendur. Një i çmendur që gjithë botën po çmend dhe që duhet ndalur para se të jetë shumë vonë. Edhe për këta fëmijë dhe sytë e tyre që e nuk e meritojnë një fëmijëri të tillë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb