Nga: XHENSILA KODRA*
TIRANE – Disa prej muxhahedinëve të ardhur nga Irani strehohen në një kamp në Babrru, në periferi të Tiranës. Kampi është i ndarë në gjashtë godina dhe secila prej tyre është e ndarë në 5-6 dhoma. Ndërkohë, gjatë një vëzhgimi të bërë nga “GSH”, ajo që vihet re në këtë kamp është qetësia që mbizotëron. Asnjë lëvizje e personave që strehohen në këto godina. Porta kryesore e kampit qëndron e mbyllur, ndërsa nga dritarja e një godine, herë pas here të bie në sy ndonjë person që vëzhgon në rrugë, përtej perdeve me ngjyra të errëta.

Dritaret janë me hekura, kjo për sigurinë e azilkërkuesve. Mësohet se në kamp jetojnë persona kryesisht të moshave nga 30 deri në 50 vjeç. Burime pranë Ministrisë së Brendshme bëjnë me dije se, fillimisht azilkërkuesit politikë që vijnë në Shqipëri strehohen në këtë kamp, dhe pas verifikimeve, ata pajisen me një leje për të qëndruar në vendin tonë. Ndërkaq, një banore e kësaj zone shprehet se në kamp ka shumë pak lëvizje. “Jetoj shumë pranë kampit dhe rrallëherë më kap syri që këta persona të lëvizin apo të rrinë në oborrin e godinave. I vetmi moment kur lëvizin nga njëra godinë në tjetrën është gjatë orarit të drekës”, thotë për gazetën gruaja, e cila nuk dëshiron të prononcohet me emër.

Më tej, ajo tregon se në këtë kamp nuk jeton asnjë fëmijë dhe se disa kohë më parë në këto godina kanë jetuar më shumë persona. “Kohët e fundit nuk ka shumë njerëz që jetojnë këtu. Disa kohë më parë kishte akoma më shumë azilkërkues sesa tani. Vetëm në ditë të veçanta shoh që në kamp vijnë shumë njerëz të tjerë. Por kjo ndodh shumë rrallë. Vetëm kur kanë ndonjë festë të tyren, si festën e ‘Ashureve’. Nuk di nëse vizitorët që vijnë atë ditë vijnë nga jashtë Shqipërisë apo jetojnë në ndonjë vend tjetër. Më parë në këtë kamp jetonte edhe një çift i ardhur nga Kina”, – shprehet ajo. “Në rrugë apo nëpër dyqane pothuajse nuk dalin fare. Nuk kanë asnjë kontakt me banorët e kësaj zone. Edhe kur dalin në raste shumë të rralla, nuk komunikojnë me asnjë. Dalin çift, ose burrat veç dhe gratë veç”, – shpjegon gruaja më tej.

Siguria
Në hyrje të portës kryesore qëndron një burrë, i cili është roja i këtij kampi. Ndërsa, burime pranë MB-së pohojnë se muxhahedinët që kanë ardhur në vendin tonë për të kërkuar azil, janë në ruajtje nga Policia e Shtetit. Sipas burimeve, kjo gjë bëhet për të parandaluar ndonjë hakmarrje të mundshme ndaj muxhahedinëve. Të njëjtat burime sqaruan, se disa prej tyre e kanë fituar statusin e qëndrimit si azilantë në vendin tonë dhe jetojnë në apartamente, ndërsa janë të punësuar në punë të ndryshme në kryeqytet.

Në një shkrim të botuar më 13 shkurt 2016, “Gazeta Shqiptare” raportoi se në vendin tonë janë strehuar edhe persona që kanë rezultuar të kërkuar nga Interpoli. Këta azilkërkues janë cilësuar si persona me rrezikshmëri të lartë dhe se kanë mundur të futen në Shqipëri duke u paraqitur me identitete të rreme. Për herë të parë, muxhahedinët erdhën në Shqipëri në vitin 2013, pas premtimit që ish-kryeministri Berisha i bëri Sekretares së Shtetit, Hilari Klinton.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: