Nga: ARMIR MEHAJ*
PUKE- Segmenti rrugor Fushë Arrëz -Qafë Mali- Kukës, i njohur për vështirësitë e dimrit, gjatë këtyre ditëve, duket se të sfidon nëse vendos ta përshkruash. Puna e mjeteve borëpastruese humbet në pak çaste, pasi erërat e forta e bllokojnë menjëherë rrugën. Grupi ynë i xhirimit, i cili ndodhej këtë të dielë në Qafën e Malit në Pukë, e pati të pamundur të vijonte pa ndihmën e mjeteve borëpastruese, drejtuesit e të cilave të vijnë në ndihmë sapo sinjalizohen.
Të udhëtosh gjatë këtyre ditëve në Qafën e Malit nuk duhet të ndjehesh i sigurt edhe pse udhëton me një mjet të përshtatshëm për kushte të tilla. Një nga manovratorët e mjeteve në këtë aks, Adem Mula na tregon se kemi të bëjmë me një situate te pabesueshme prej disa ditësh, pasi erërat dhe orteqet e herëpashershme kanë krijuar një situatë problematike përgjatë këtij aksi, në të cilin punohet pa pushim.
Ademi na tregon se mbrëmë një ortek e zuri poshtë borëpastruesen që ai drejton, ndërkohë që u desh angazhimi i mjeteve të tjera për ta nxjerrë nga rreziku.
“Punojmë 24 orë pa pushim, por puna nuk duket sa e pastrojmë erërat e mbulojnë sërish. Është situatë e pazakontë. Ka shumë vite që pastroj këtë rrugë, por në këtë kohë nuk na ka ndodhur ndonjëherë më parë kështu”- tregon manovratori, i cili na ndihmoi dhe ne të dilnim nga rreziku ku ndodheshim të bllokuar nën kërcënimin e ndonjë orteku të mundshëm.

Në Qafën e Malit askush nga autoritetet vendore nuk është ngjitur të shikojë nga afër situatën, ndërsa të vetmit në përballje me të ftohtin e acartë dhe trashësinë mbi një metër të borës janë punonjësit e rrugës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: