Në një kodër të thepisur të Shqipërisë së Veriut qëndron një portë e së kaluarës komuniste. Një derë e madhe çeliku hapet, për të zbuluar një bazë ushtarake që fshihet në zemër të malit.

AFP i ka kushtuar një reportazh avionëve të Gjadrit. Baza ajrore e fshehtë, sot është thjesht një depo që mban në errësirë dhjetëra avionë MiG të periudhës komuniste, që mbledhin pluhur prej vitesh. Tre dekada pas shpërbërjes së komunizmit, autoritetet shqiptare po përpiqen t’i shesin avionët sovjetikë dhe kinezë që kanë dalë jashtë përdorimit prej më shumë se një dekadë.
Shefi i shtabit, Bardhyl Kollçaku thotë se një pjesë e avionëve MiG do të mbahen në muzeun e ushtrisë.

“Përveç nostalgjisë, për të cilën ne do t’i mbajmë disa prej tyre në muzeun tonë… pjesa tjetër do të trajtohet sipas legjislacionit vendas për shitje ose përdorim tjetër”.

Kur Shqipëria diskutoi për herë të parë shitjen e avioneve MiG në vitin 2016, kërkesa e parë erdhi nga Muzeu i Hapësirës Ajrore në Francë, si dhe nga një shkollë fluturimi në Gjermani. Në listën e pritjes ka gjithashtu edhe individë, përfshirë biznesmenin francez Julien Roche, i cili planifikon të instalojë një avion të tillë në kopshtin e tij. Megjithatë, asnjë shitje nuk është realizuar deri më sot.

Ashtu si 7000 bunkerë të sigurisë, baza e fshehtë e Gjadrit ishte pjesë e planit të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha për të forcuar shtetin e tij të egër nga frika e pushtimeve të huaja që kurrë nuk u realizuan.

Më shumë se 600 ushtarakë punonin brenda tuneleve te pajisura me kafene, konvikte dhe zyra. Baza e Gjadrit u dëmtua në vitin 1997, kur vendi u përfshi nga një rebelim i armatosur dhe qytetarët sulmuan bazat ushtarake për të rrëmbyer armët.Edhe në Gjadër u grabitën armë dhe pjesë metalike të disa avioneve MiG.

Sot, forca ajrore shqiptare ka vetëm një flotë të vogël të helikopterëve dhe hapësira ajrore e saj është e mbrojtur nga NATO. baza e parë e NATO-s në rajonin e Ballkanit do të ndërtohet në Kuçovë, dikur e njohur si “Qyteti i Stalinit”, si një simbol i miqësisë në atë kohë midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb